Jevtiqi thotë se ishte kundër regjimit të Millosheviqit

19 November 2019 20:09
21:18

Dalibor Jevtiq, politikani serb në Kosovë i Listës Serbe, i cili ishte zv/kryeministër në qeverinë Haradinaj, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se ishte kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Ai tha se politika e tij i shkaktoi dëm jetës së qytetarëve të Serbisë dhe i solli në një pozitë të rëndë.

“Unë isha pjesë e Lëvizjes studentore për rezistencë që luftoi kundër atij regjimi dhe mendoj se ai më shumë dëm i shkaktoi jetës sonë dhe na solli në pozitë të rëndë, por përsëri e them se dua të krahasoj disa gjëra nga e shkuara, disa gabime që s’bën të lejojmë të përsëritën tani, sepse nga gabimet duhet të mësojmë të gjithë për njëri-tjetrin. Sepse mbi të gjitha, duhet të respektohemi në çdo mënyrë”, u shpreh Dalibor Jevtiqi në Rubikon.

21:09

Jevtiqi krahason qasjen e Kurtit ndaj serbëve me atë të Millosheviqit ndaj shqiptarëve

Dalibor Jevtiq në Rubikon të KTV-së ka krahasuar politikat e Sllobodan Millosheviqit me ato që sot, sipas tij, po tenton t’i bëjë Albin Kurti, duke zgjedhur se me këtë flasë e me kë jo për bashkëpunim në qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës.

Ai ka tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë mosrespekt.

“Nëse dikush nuk na do në institucione, nëse vazhdimisht refuzon t’i pranojë serbët në mënyrë të barabartë, atëherë ne duhet të sjellim vendime ku shumë qartë do të themi se nuk do të lejojmë këtë mosrespekt. Kjo nënkupton që në përputhje me vendimet që do t’i sjellim në atë moment, do të vendosim edhe për pjesëmarrjen tonë në institucione dhe do të vendosim që duhet të tregojmë se refuzojmë të jemi vetëm të pranishëm sa për përqindje e kuota. E dini, Millosheviqi ka bërë gabime të mëdha e katastrofale në raport me shqiptarët në të shkuarën. Nuk guxon askush nga liderët shqiptarë të vijë në situatë e të thotë ‘këta serbë më pëlqejnë e këta jo’. Lejoni që ata vetë, qytetarët vetë, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe mos u përzieni në këtë. Mos lejoni që si Millosheviqi, ku në Gjakovë jetonin mbi 95% shqiptarë, të jetë kryetari i komunës serb, si në kohën e tij”, tha ai.

Jevtiqi ka thënë se nuk është prioritet i tyre të jenë pjesë e qeverisë.

Sipas tij, ata mund të jenë edhe opozitë mirëpo nuk do të jetë Lista Serbe ajo që do ta shkelë Gjykatën Kushtetuese.

“Për ne s’është prioritet si parti politike të jemi pjesë e qeverisë së re, e as çfarë pozitash do të kemi... Nëse mandatari nuk flet me ne, atëherë në çfarë mënyre do të jemi pjesë e qeverisë? Të ëndërrojmë për seanca e vendime! E dini nëse Kosova është shoqëri multi-etnike, minimumi i saj është që kjo të reflektojë nëpërmes institucioneve. Është minimumi që ju si mandatar të flisni me ata që në mënyrë legale janë zgjedhur përfaqësues të popullit në zgjedhje. Nëse ju refuzoni ta bëni këtë, atëherë problemi nuk është te ne. Nuk jemi ne ata që do të shkelim ligjin e Kushtetutën, por dikush tjetër. Gjithsesi se nëse ne do të ndodhemi në këtë situatë dhe injorohemi si përfaqësues politikë të serbëve, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Jevtiq.

21:04

Jevtiq: S’kemi problem të flasim me Kurtin, po të donim mund të shkaktonim krizë të re politike

Lista Serbe do t’i përgjigjet çdo thirrje të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim në qeverinë e ardhshme të drejtuar nga mandatari i VV-së për kryeministër, Albin Kurti.

Në Rubikon të KTV-së, nënkryetari i partisë Lista Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se ata nuk duan të bllokojnë procese por synojnë që t’i shtyjnë përpara meqë, po të donin, kanë mundësi për ta bërë.

“Po të donim ne të bllokonim procese dhe të donim të shkaktojmë ndonjë krizë të re politike, ne do të thoshim ‘mirë, zoti Kurti s’do të flasë me ne, s’duam as ne me të dhe të shohim si do ta formojë atë qeveri’. Nuk është kriza interesi ynë, por të zgjidhen problemet. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të shmangur situatën në të cilën edhe më shumë do të vështirësonim jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Jevtiq.

Ai ka thënë se nuk e kanë problem të flasin me askënd, përfshirë këtu edhe Albin Kurtin.

“Nuk kemi kurrfarë problemi të flasim me askënd, sepse në politikë, nëse doni të jeni lider, duhet të jeni të gatshëm të dëgjoni zëra e qëndrime të ndryshme, edhe kur flisni me ata që s’pajtoheni - kjo është demokraci. Nëse nesër doni të udhëhiqni qeverinë, atëherë duhet të jeni të gatshëm të dëgjoni mendime të ndryshme”, deklaroi nënkryetari i Listës Serbe, Jevtiq.

Ai bëri të ditur se grupi i tyre parlamentar do të përbëhet nga 10 serbë dhe një goran.

“10 serbë dhe një goran. 11 deputetë në grupin tonë parlamentar. Do të thotë, e përsëris, asnjëherë nuk kishim sjellje shantazhuese, gjithmonë ishim për bisedim, me qëllim të stabilitetit dhe paqes. Fakti që ne duam të flasim, duam të jemi partnerë, nuk do të thotë se dikush mundet të na vërë në tavolinë si lule dhe të thotë ja ku janë. Këta janë ata të tjerët, që ishin më herët”, u shpreh Jevtiqi.

20:54

Jevtiq: Për dallim nga Kurti, ne respektojmë vullnetin e qytetarëve

Lista Serbe, si fituese e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ka thënë se e respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës të cilët nxorën fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne si serbë, s’mund të zgjedhim kush do të jetë ai i cili do të përfaqësojë serbët, ashtu sikurse as shqiptarët s’mund të jenë ata që vendosin kush i përfaqëson serbët. Për këtë janë zgjedhjet. Kjo është njëjtë sikur ne të themi tani ‘nuk e duam Albin Kurtin për kryeministër dhe përfundoi’. Megjithatë, ne për dallim nga ata që kanë qëndrim të tillë, e respektojmë vullnetin zgjedhor të banorëve, të të gjithëve, dhe mendoj se qytetarët kanë thënë qartë se kush janë ata që duhet të jenë pjesë e institucioneve në qeverinë e re”, ka deklaruar Jevtiq.

Sipas Jevtiqit, Albin Kurti me qasjen e tij ndaj përfaqësuesve serbë, po ushtron standard të dyfishtë, duke zgjedhur se me kë të bisedojë, përderisa, sipas tij, ishte Kurti ai që akuzonte Nenad Rashiqin se po plaçkiste në komisionin për privatizimin e Postës.

“Tani z.Kurti shkon dhe thotë ‘do të flas me Rashiqin’, sepse ai është ministri më i mirë. Sikur të vuajnë nga harresa e të mos e mbajnë mend, kur po të njëjtit këta nga VV-ja këtë Rashiqin sa ishte në komision për privatizimin e Postës, thoshin se po plaçkit dhe s’vyen asgjë. Shihni çfarë po ndodh!... Kjo është qasja, ‘ky s’më pëlqen, do të shkoj tek ai, sepse ky po më flet mirë’”, ka thënë ai.

Tutje Jevtiqi ka akuzuar Nenad Rashiqin duke thënë se ndaj politikës ka qasje të bixhozxhiut.

“E njohim shumë mirë Rashiqin. Rashiqi që sonte thotë se votat që kanë ardhur nga Serbia janë kriminale dhe duhet të asgjësohen, dhe në mëngjes shkon në Gjykatën Supreme, ankohet dhe thotë se ato vota duhet të pranohen. Nenad Rashiqi i qaset politikës pak a shumë sikurse edhe jeton! Është qasje e një bixhozxhiu i cili tani do të bëjë blof, nëse kalon”, ka thënë ai.

20:34

Sipas Jevtiqit, votimi i Ushtrisë së Kosovës nuk solli asgjë të mirë për qytetarët

Votimi i ushtrisë së Kosovës, sipas Dalibor Jevtiqit, zëvendëskryeministër në largim, nuk u solli asgjë të mirë qytetarëve të Kosovës.

Ai në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se qytetarët ende ankohen për problemet e njëjta, ndonëse, ligji u votua nga të gjithë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Kosovës.

Madje, sipas tij, paratë që investohen në transformimin e ushtrisë, më mirë do të ishte sikur të investoheshin në ekonomi.

“Sepse e përsëris, me atë që u votua Ushtria e Kosovës, unë nuk shoh se njerëzit janë duke jetuar më mirë tani. Ende ankohen për probleme të njëjta, e në vend se paratë që investohen në transformim, pse të mos investohen në ekonomi”, është shprehur Jevtiqi.

20:27

A është Lista Serbe dorë e zgjatur e Beogradit?

Dalibor Jevtiq i Listës Serbe në Rubikon të KTV-së ka thënë se me Beogradin është e rëndësishme të kenë kontakt mirëpo nuk janë dorë e zgjatur e tyre.

Madje, Jevtiq, duke aluduar në kolegët e tjerë, politikanët serbë në Kosovë, ka thënë se për dallim prej tyre, Lista Serbe ka pasur raste kur ka mbajtur një qëndrim që Beogradit nuk i ka pëlqyer.

“Sepse, thjesht ne nuk jemi ata, që kur shkojmë të bisedojmë me ata, shkojmë me qëndrimin vetëm t’i dëgjojmë. Ne kemi qëndrim që nganjëherë atyre s’u pëlqen, e ne i përmbahemi dhe mbrojmë interesat e popullit serb, e në të shkuarën, i kishin këta që vetëm lëviznin me kokë dhe kurrë s’kishin qëndrim, kurrë s’e ngritën zërin. Andaj, jemi në pozitë sikurse sot, ku pozita e serbëve dhe popujve të tjerë joshumicë në Kosovë, do të thosha në situatë që edhe pas 20 vjetësh që nga lufta, duhet të luftojmë për atë që shkruan në Kushtetutë, në ligje të Kosovës, në vend se kjo të ishte tashmë temë e mbyllur, proces i mbyllur, sepse ata që patën rast që të luftojnë për këtë në mënyrë demokratike nëpërmes mekanizmave që kishin, s’e bënë, sepse atëherë vetëm lëviznin me kokë. Natyrisht që kjo do t’u pengojë njerëzve”, ka thënë Jevtiqi.

“Gjithmonë me shumë krenari, do të theksojmë bashkëpunimin tonë me Beogradin, sepse askush s’ka të drejtë që të ndërpresë këtë bashkëpunim tonin. Mendoj se e njëjta nuk i rrezikon interesat e askujt, të mos harrojmë që në baza mujore, Beogradi për jetën e serbëve në Kosovë ndan 40 mijë paga, ndihma sociale dhe beneficione të tjera, pensione, e që kanë rëndësi për jetën e serbëve, sepse shumica nuk do të mund të mbijetonin pa këto”, ka deklaruar më tej ai.

20:09

Jevtiqi komenton ankesat për fitoren e Listës Serbe: Kush humb, ka të drejtë të zemërohet

Në një intervistë ekskluzive për Rubikon, zëvendëskryeministri në largim, Dalibor Jetviq, duke komentuar deklaratat se Lista Serbe fitoi në komunat veriore në zgjedhjet e 6 tetorit, për shkak të presionit, ka thënë se “kush humb, ka të drejtë të zemërohet”.

“E kemi një shprehje të vjetër që thotë ‘kush humb, ka të drejtë të zemërohet’. Është një - kjo çfarë thoni, dhe tjetër - ajo çfarë populli serb në Kosovë e di. Populli serb në Kosovë e di shumë mirë se kush janë përfaqësuesit e Listës Serbe e kush janë këta të tjerët që përndryshe, dikur ishin pjesë e Listës Serbe. Që nga Aleksandar Jabllanoviqi, deri te Rada Trajkoviqi, Sllobodan Petkoviqi dhe Nenad Rashiqi. Ata ishin pjesë e Listës Serbe dhe vendosën të largoheshin, sepse konsideruan që ata nuk mund të jenë në pozitat që atëkohë kërkonin brenda qeverisë, ministra apo diçka tjetër. Do të thotë, ata më shumë prireshin nga interesi personal”, ka thënë ai.

Jevtiq për politikanët tjerë serbë në Kosovë tha se flasin vetëm se nuk janë në pozitat që ata duan dhe se kur e gëzonin një mundësi të tillë, nuk arritën të bëjnë asgjë.

“Nenad Rashiqi kur ishte deputet, në legjislaturën kur kryeministër ishte Isa Mustafa, i ishte bashkuar grupit parlamentar të Listës Serbe. Atëherë, në atë kohë nuk i pengonte dhe e dimë se çfarë deklaratash jepte kur fliste që ekziston nevoja e serbëve në Kosovë që të kenë bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, që ekziston nevoja ngase vetëm Beogradi mund të mbrojë interesat e serbëve në territorin kosovar dhe, ne që i njohim edhe Rashiqin edhe këta të tjerët që i përmenda, nuk na habit kur ata kohë pas kohe, ndryshojnë qëndrimet dhe deklaratat, por këtë e bëjnë krahasuar me atë që janë interesat e tyre personale në një moment të caktuar. Ata s’janë as liderë, as politikanë”, ka thënë Jevtiqi.

Sipas tij, ata po “përdorin problemet e popullit për qëllimet e tyre politike”.

“Ata janë njerëz që patën mundësi kur ishin në pozita, të bëjnë diçka por s’kanë bërë asgjë, shkaku i interesave të tyre personale. Ata janë njerëz, sikurse puna e Petkoviqit, të cilët, në legjislaturën e shkuar kishin 0 minuta fjalim dhe 0 amendamente që i përkrahën në ligj. Dhe si mundet një i tillë sot të flasë se mund të përfaqësojë interesat e popullit serb, janë ata të cilët keqpërdorin probleme të caktuara të popullit për qëllimet e tyre politike”, ka shtuar më tej Jevtiqi.

Zëvendëskryeministri në largim po ashtu ka thënë se është i hapur për debat publik me politikanët tjerë serbë në Kosovë.

Ai ka përmendur edhe vizitën e delegacionit të tyre në Uashington dhe Bruksel, ku sipas tij, vetëm u uruan për fitoren dhe nuk i pyetën se si erdhën deri aty.

“Kurdo që doni (jam i hapur për debat publik me politikanët tjerë serbë në Kosovë)! Por, duhet ta kuptoni një gjë, që në përgjithësi, keni njerëz që tashmë gjatë janë në politikë këtu në Kosovë dhe mund të bëjnë punë të caktuara në kohë të caktuar dhe shohim rezultatet. Bazuar në këto rezultate, dikush mund të vendosë nëse do të votojë për ju apo jo. Bazuar në atë, keni respektin e atyre që keni bashkëpunuar nga bashkësia ndërkombëtare. E këtu definohen disa gjëra. Pas këtyre zgjedhjeve, me kolegët e mi nga Lista Serbe ishim të ftuar në Uashington dhe Berlin, pastaj në Paris dhe Bruksel dhe aty na urojnë fitoren dhe askush nuk pyet rreth asaj se si, në çfarë mënyre erdhëm ne deri te fitorja”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Xhelal21/11/2019 10:07

Nuk asht ashtu si thua ti Zotti jetviq une jam per ldk por ne kto momente me pelqen albini ti nuk mund te jesh i barabart me neve ti punon per shtetin e serbis jo per kosoven ti mendon vetem si ta permbys kosoven,ti ne serbi i ke te drejtata e barabarta jo ne kosov, te derejtat e barabarta i Kan ata qe punojn per kosoven

Shto koment

Të ngjashme