Ministria e Mjedisit thotë se me gjithë masat e marra, sërish do të kemi ndotje të ajrit

Donika Voca Gashi Donika Voca Gashi 19 November 2019 20:27

Ndotja e ajrit gjatë ditëve në vazhdim mund të paraqesë rrezik permanent për shëndetin e qytetarëve ka alarmuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ky institut, përmes një reagimi ka paralajmëruar se me uljen e temperaturave dhe rritjen e nivelit të ndotjes, do të shtohet numri i të sëmurëve nga astma bronkiale, bronkitet kronike dhe sëmundje e tjera të frymëmarrjes, raporton KTV.

Nëpërmjet këtij reagimi, kërkohet nga Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës të marrin masa konkrete për parandalimin e rritjes së ndotjes, derisa renditen një sërë masash të cilat, sipas këtij instituti, duhet të merren.

Por, as këtë vit, sipas ministrit në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, nuk pritet që të ketë përmirësim të cilësisë së ajrit.

Ndërsa, zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se ata nuk kanë shumë kompetenca për të ndikuar në uljen e kësaj ndotje dhe marrjen e masave ndaj atyre që shkaktojnë ndotjen.

Sipas ministrit në detyrë, nga ky vit asnjë institucion publik nuk do të përdorë thëngjill, derisa marrja e thëngjillit iu është ndaluar edhe punëtoreve të KEK-ut.

Ekspertët e Institutit Kombëtar kanë paralajmëruar se nëse nuk merren masa urgjente, do të rritet vdekshmëria e popullatës nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme