Koliqi tregon për zvarritjen e lëndëve korruptive nëpër gjykata

Koliqi tregon për zvarritjen e lëndëve korruptive nëpër gjykata

19 November 2019 17:40

Rina Koliqi nga organizata Çohu në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se ekzistojnë disa arsye për shtyrjen e seancave gjyqësore e që çuan në parashkrimin e 58 lëndëve korruptive vetëm në vitin e fundit.

Numri i ulët i rasteve të luftimit të korrupsionit, bartja e lëndëve nga viti në vit dhe parashkrimi i shumë prej tyre janë disa nga gjetjet e raportit “Qasja në drejtësi” të kësaj organizate për sistemin e drejtësisë në vend, ka bërë të ditur Koliqi.

Ajo ka thënë se gjatë monitorimit është vënë re se rastet gjyqësore kanë dështuar për arsye të ndryshme, duke nisur nga vonesat e gjykatësve, shtyrjet e seancave e që më pas që kanë çuar edhe te parashkrimi.

“Parashkrimi është dukuri në të gjitha lëndët, jo vetëm në ato të korrupsionit. Nga viti 2013 e deri më 2018, janë parashkruar pothuajse 20 mijë lëndë. Sa i përket korrupsionit, në vitin e fundit janë parashkruar 58 lëndë”, ka thënë ajo.

Koliqi tutje ka thënë se shtyrjet e seancave janë bërë edhe për arsye të tjera, duke theksuar se ka pasur raste kur janë shtyrë për shkak se gjyqtarëve u janë caktuar dy seanca në të njëjtën kohë. Ka treguar se ka pasur raste edhe kur prokurorja ka thënë se është e papërgatitur për rastin duke detyruar shtyrjen e seancës. Sipas saj, ka pasur raste kur gjyqtarët kanë shkuar në seminare të ndryshme para seancave gjyqësore.

Koliqi tutje ka thënë se kanë rekomanduar të merren masa disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që kanë bërë shkelje. Ka thënë se ka mungesë të madhe të asistentëve, duke specifikuar përkthyesit, në veçanti për rajonin e Mitrovicës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme