Arbëri

VV: Holanda e gatshme të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit evropian

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Holanda ia ka shprehur gatishmërinë që ia ofron Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

Dje kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, bashkë me anëtaren e Kryesisë Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, njëherësh anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Agim Bahtirin,, pritën në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems, e cila ishte e shoqëruar nga Zëvendës Shefi i Misionit, Peter van der Bloemen dhe Zyrtarja e Lartë për Sundimin e Ligjit në këtë ambasadë, Venera Ramaj.

Në njoftimin e sotëm për media nga VV, theksohet se ambasadorja Willems e uroi Kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së institucionet shtetërore të formohen sa më parë.

“Ajo u interesua për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofroj mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian”, thuhet në komunikatën e VV.

Tutje, thuhet se Kurti e njoftoi Willems se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune, dhe politikat që zbusin pabarazinë.

Kurti, thuhet tutje në kumtesë, përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesionalqë do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.

“Willems tha se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE). Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e Sundimit të Ligjit, luftën kundër Korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit”, citohet Willems në komunikatën e VV-së.

Në fund të takimit, thotë VV, u shpreh gatishmëria për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin për projekte konkrete në të ardhmen.