Meta shpall “non grata” Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt Foto: Ilustrim

Meta shpall “non grata” Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt

18 November 2019 22:46

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit.

Lajmi konfirmohet përmes një shkrese që e ka siguruar BW, që kreu i shtetit i ka dërguar ditën e sotme Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, asaj në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit pranë MEPJ-së në Tiranë.

“Z.Bernd Boschardt, i cili vuri në diskutim dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”, thuhet ndër të tjera në letrën që mban datën 18 nëntor.

Ndërkaq, pas vendimit të presidentit Meta, ka ardhur reagimi nga Ambasadori Borchardt.

Teksa hynte në një takim në selinë e PD-së, ambasadori u pyet nga gazetarët për vendimin e Metës, ndërsa ai refuzoi të komentonte gjatë, ndërsa tha se: “OSBE është organizatë legjitime në Shqipëri. Më lini të qetë!”.

I ‘thatë’ në përgjigje është treguar edhe sekretari i asamblesë së OSBE, Roberto Montella, i cili u shpreh se nuk preferonte të komentonte vendimin e presidentit.

Muajin e kaluar, derisa banorët e lagjes Astiri në Tiranë po protestonin në mbrojtje të banesave të tyre, pranë tyre kishte kaluar Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, ku disa prej protestuesve kishin nisur të bërtisnin “Rama ik”, ndërsa njëri i ishte drejtuar Borchardtit duke i thënë “Shame on you” (një parullë e cila u shkrua muaj më parë poshtë banesës ku jeton me qira ambasadori), raporton Koha.net.

Në atë moment, Ambasadori, teksa po ecte me kurrizin prapa protestuesve, u kishte ngritur atyre gishtin e mesit, gjest i cili ka bërë që të ketë reagime të ashpra nga qytetarë e nga partitë opozitare në Shqipëri.

E një ditë më pas, Ambasadori Borchardt, përmes profilit zyrtar të misionit të OSBE-së në Tiranë, u kishte kërkuar falje protestuesve për gjestin.

“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, kishte shkruar ambasadori Borchardt në Twitter.

Ndërkaq, Borchardt pati komentuar edhe vendimin e presidentit Ilir Meta për të çdekretuar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve lokale.

Ai u shprehte se u takon institucioneve shqiptare që të përcaktojnë se kush ka argumentin më të mirë ligjor për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

“Përfaqësuesi ynë e bëri shumë të qartë javën e shkuar për këtë. Ai tha se zhvillimi i zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Dhuna është përgjegjësi e atyre që organizojnë protestat. Ata kanë përgjegjësi për dhunën. Kjo është çështje e brendshme për të vendosur dhe më pas Gjykatën Kushtetuese. Jam besimolotë se institucionet shqiptare do të gjejnë se kush e ka argumentin më të mirë ligjor. Siç e thashë, institucionet shqiptare do e marrin këtë vendim”, kishte thënë Borchardt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme