Arbëri

IKSHP-ja propozon masa urgjente mbrojtëse ndaj ajrit të ndotur

Descriptive Text

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka propozuar disa masa urgjente mbrojtëse para se të nisë sezoni i ditëve të ftohta, që sipas këtij instituti, do të rikthejnë ajrin e ndotur në vend.

IKSHP-ja ka thënë se në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra.

Ndër shumë masa që ka propozuar, IKSHP-ja përfshihet edhe heqja nga përdorimi e veturave të vjetra, shtimi i autobusëve me karburante ekologjike, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, të mos hapen dritaret për ajrosje e të mos dilet në qytet pa maska.

“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit. Si burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit, automjetet e vjetruara dhe trafiku i dendur, djegia e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegia e mbeturinave, përdorimi i pesticideve, mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mospastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfilltë urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet. Këtë situatë shqetësuese do ta rëndojnë edhe më shumë ditët e ftohta që do të vijnë dhe rëniet e temperaturave që do ta vështirësonte edhe më shumë ndotjen e ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jokualitative që po përdorin qytetarët”, thuhet në sqarimin e IKSHP-së.

Këto janë masat që ka propozuar ky institut:

A. Masa strategjike:

1.Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet.

2. Adoptimi dhe transpozimi i legjislacionit të ajrit në përputhje me direktivat e EU dhe standardeve të OBSH.

3. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.

B. Masa specifike:

4. Urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator.

5. Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.

6. Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik.

7. Shtimi i sipërfaqeve gjelbëruese në zona urbane.

8. Matja e kontaminimit në pikat kyçe në Kosovë dhe paraqitje ditore e rezultateve online.

C. Masa individuale (rekomandime shëndetësore për popullatën) kur ajri ka vlera të larta të ndotjes

1. Të redukohen daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;

2. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për aerosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta.

3. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.

4. Të redukohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërish ndalimi i duhanpirjes brenda hapësirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.

5. Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prirur për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se po që se nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.