Arbëri

Kurti: Dialog me kushte të Kosovës me Serbinë

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të vazhdonte bisedimet me Serbinë në formën e njëjtë që kanë bërë qeveritë e shkuara.

Në Specialen e KTV-së, Kurti ka thënë se Kosova do të ishte me kushte në bisedime me Serbinë.

Ka thënë se fillimisht do të niste bisedimet direkte me serbët e Kosovës pasi vlerëson se Kosova nuk ka nevojë për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Është gabim t’i integrojmë serbët duke i parë vetëm si serb. Ne po bëjmë padrejtësi ndaj komuniteteve të tjera. Natyrisht se duhet t’i kushtohet rëndësi por jo në këtë mënyrë. ‘Zajednica’ nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës në 23 nene. Rrjedhimisht Kosova nuk ka nevojë për një ‘Zajednicë’ të tillë. Në vend të zbatimit të saj unë si kryeministrin do të fillonim bisedimet direkte me serbët e Kosovës. Nuk do të ndërpritnim dialogun me Serbinë, por qeveria jonë do të ishte me kushte të Kosovës në rifillimin e dialogut. Serbia duhet ta pranojë parimin e reciprocitetit me Kosovën. Besoj se do të gjenim shumë miq që do ta mbronin qëndrimin tonë ndaj Serbisë. Qeveritë e mëparshme ishin inferiorë ndaj Serbisë, dhe kjo nuk duhet ta ketë. Sa shumë u gëzuam kur shkoi Rama në Beograd, ai tha një gjë shumë normale. Ky ishte një kontrast me servilitetin e Thaçit dhe Isës. Po kjo nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se nëse Vetëvendosje fiton zgjedhjet dhe vet Kurti bëhet kryeministër do të vazhdohet partneriteti me Bashkimin Evropian në veçanti me Gjermaninë dhe me SHBA-në.

“Nuk rrezikojmë interesat e aleatëve tonë ekonomikë dhe strategjikë. Ne jemi normal në shtegun tonë”, ka shtuar më tej ai.

Kurti po ashtu ka thënë se sa i përket demarkacionit duhet të hetohet se si ka ardhur deri te nënshkrimi. Ka folur edhe për mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Podgoricën.

“Ne duhet ta hetojmë se çfarë është bërë e nuk është bërë deri sa ka ardhur deri te nënshkrimi. Në momentin që nuk e kemi këtë qeveri atëherë njerëzit do të jenë në gjendje të flasin. Murat Meha ka vlerësuar keq. Me këdo që kam folur në Kuvend ma pranojnë se ai ka negociuar keq, dhe në fund Thaçi ka nënshkruar atë. Ajo sigurisht se duhet të shkojë një ditë në Kuvend. Por duhet të ketë përgjegjësi me ata që kanë nënshkruar. Ne duhet ta njoftojmë zyrtarisht Podgoricën. Mali i Zi është një shtet që jo pak i ka acaruar marrëdhëniet me Serbinë. Bisedimet direkte me Podgoricën janë të mundshme”, ka shtuar Kurti.