Prokuroria po heton 3 zyrtarë në ASHNA për tenderin milionësh me radarin

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 18 November 2019 19:04

Prokuroria Speciale ka konfirmuar nisjen e hetimeve në rastin e keqpërdorimeve me tender në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror, e cila për vite të tëra udhëhiqet nga Bahri Nuredini, nipi i kreut të Skënderajt, Bekim Jashari.

Tre persona, aktualisht, janë duke u hetuar për rastin e Radarit e Goleshit i cili i kishte kushtuar shtetit 8 milionë euro, por që aktivizimi i tij nuk ndodhi në tërësi asnjëherë, raporton KTV.

Rreth 7 muaj më parë, hetuesia kishte dorëzuar në Speciale një kallëzim penal për këtë rast, mirëpo deri më sot Prokuroria nuk ka hartuar ende aktakuzën.

Të pyetur nga KTV-ja, Prokuroria Speciale vetëm ka konfirmuar nisjen e hetimeve pa dhënë shumë detaje për këtë çështje.

“Ju njoftoj se rasti në fjalë është në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe janë duke u zhvilluar hetimet në bazë të Aktvendimit për fillim të hetimit. Momentalisht, nën hetim janë tre persona zyrtarë lidhur me veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 2 të KPRK-së, si dhe ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’ nga neni 291, paragrafi 2, neni 81 dhe 31 të KPRK-së, të kryera në vazhdimësi,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale drejtuar KTV-së.

Burime të KTV-së brenda Hetuesisë kanë bërë të ditur se sipas hetimit të tyre që ka rezultuar me kallëzim penal, dorëzuar muaj më parë në Prokurorinë e Shtetit, del se më shumë se 5 persona kanë kryer vepër penale në rastin e blerjes dhe përfundimit të kontratës për Radarin e Goleshit, por edhe për tenderët e tjerë, për të cilët në vazhdimësi ka raportuar “Kohavisioni”.

Më 12 shkurt të vitit 2017 “Kohavisioni” ka raportuar për kontratën e dyshimtë rreth blerjes së radarit, prishjet dhe kontrabandimin e pajisjeve. Radari i Goleshit vazhdimisht ka pasur prishje gjë që kishte dyshime se ai nuk ishte i ri, pavarësisht që kompania që e shiti thotë se atë e solli të ri, e po ashtu edhe ASHNA-ja.

Prishja e fundit i kishte detyruar zyrtarët e Agjencisë që në natën e vitit të ri, 2017 ta importojnë në mënyrë ilegale një pjesë rrotulluese “rotary joint”, e të cilën më pas e modifikuan në një punëtori mekanike në Ferizaj.

Por, specifikat e kësaj pjese që ASHNA-ja thotë se e huazoi nga Shqipëria nuk janë në përshkrimin e dokumenteve të pajisjeve që kompania e kontraktuar nga Shqipëria, TCN, ia dorëzoi Agjencisë.

Sidoqoftë, pajisja e cila bazuar në raportin e inxhinierëve u montua në radarin e Goleshit më 3 janar pas orës 16, në Doganën e Kosovës u paraqit vetëm më 6 shkurt, disa ditë pasi KTV-ja kishte nisur hulumtimin rreth saj.

Në Doganë e kanë konfirmuar se malli që është deklaruar më 6 shkurt i shpëtoi penalizimit pasi u vlerësua si deklarim vullnetar.

E përveç që TCN-ja nuk kishte dhënë garanci për pajisjen, për 191 mijë euro e kishte prishur kontratën 8 milionëshe, e me pas Agjencia për ato punë që nuk u kryen, kishte hapur një tender të ri me vlerë prej më shumë se 4 milionë euro.

KTV-ja në prillin e 2017 kishte siguruar disa dokumente që tregonin se menaxhmenti i kësaj Agjencie ka paraparë të shpallë tender për të përfunduar punët e pakryera në Radarin e Goleshit dhe të zgjerojë kapacitetet për Shërbim Ajror.

KTV-ja kishte hulumtuar për rreth tre vjet në këtë institucion të pavarur ku përmes kronikave kishte dëshmuar se si kreu i ASHNA-së i kishte dhënë tender kompanisë së ortakut të tij, për çka ekziston edhe një vendim i Agjencisë Kundër Korrupsionit i marrë pasi KTV-ja e raportoi atë.

Tutje, keqpërdorimet vazhduan me lidhje të kontratave të

dëmshme dhe moszbatim të tyre, e deri te zbulimi i sinjalizuesve brenda institucionit, që pasuan me largimin e dy zëvendësdrejtorëve nga ky institucion.

Gjatë kësaj kohe, ishte nxjerrë edhe një vendim nga ana e ASHNA-së për ndalimin e hyrjes së gazetares së KTV-së, në objektet e ASHNA-së dhe është dërguar një letër linçuese te të gjitha mediat, linçim ky që ka vazhduar me muaj të tërë.

Ndërkaq, Agjencia nuk i është përgjigjur interesimit të KTV-së për të konfirmuar nëse janë intervistuar ose jo zyrtarët e saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme