Arbëri

Autoriteti i Konkurrencës thotë se ka dyshime se kompanitë e sigurimeve janë marrë vesh për rritje të çmimit

Sakip Ymeri, drejtor në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, në “Express Intervistën” në KTV ka deklaruar se ka dyshime se kompanitë e sigurimeve janë marrë për rritjen e çmimit.

Ditë më parë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26 për qind.

Primi për sigurimin e veturës 1.8 (centimetër kub) që ka qenë 130 euro, kurse me rritje të çmimit është 164,62 euro ose 34.62 euro më shumë se që ishte deri para datës një nëntor.

Ai thotë se për rritjen e çmimit të sigurimit Autoriteti i Konkurrencës e ka marrë këtë informatë vetëm nga mediat.

“Këtë vendim nuk e kemi marrë nga BQK-ja. Autoritar i Konkurrencës ka lëshuar një mendim profesional ai i është dërguar BQK-së në të sugjerohet që banka të zhvillojë aktivitete që vijnë deri te çmimi i shërbimeve. Pyetja jonë ka qenë se a është në frymën e konkurrencës. Aktiviteti i Autoritetit të Konkurrencës është i bazuar në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, ka thënë Ymeri.

Tutje ai ka shtuar se BQK-ja duhet të inkurajojë edhe grupe të tjera të sigurimit dhe jo vetëm këto që janë aktualisht.

“Çmimet janë unike edhe prej faktit se BQK-ja e ka të drejtën të vendosë pragun. Mbi frymën e këtij parimi Autoriteti i Konkurrencës sugjeron të zhvillohen edhe grupe të tjera. Nëse konkurrenca do të jetë e lirë dhe e mirëfilltë atëherë tregu do të vinte në pah ato kompani që janë më të fuqishme dhe ulja e çmimeve në këtë rast do të ishte më joshëse për qytetarët”, ka thënë ai.

Hyn në fuqi vendimi i BQK-së, sigurimet e automjeteve shtrenjtohen për 26 për qind

Tutje Ymeri ka theksuar se ka kërkuar nga BQK-ja të tregojë se mbi çfarë baze është bërë rritja e çmimit.

Deri më tani sipas Ymerit është folur se ky vendim është marrë mbi bazën e inflacionit dhe ngritjen e çmimit të primës tpl.

“Praktikën e bashkërenduar për me ardhë deri te një çmim Autoriteti i Konkurrencës nuk e përkrah pasi kjo është në dëm të konsumatorit. Ne mendojmë se duhet të vendoset në bazë të kërkesës dhe ofertës. Autoriteti nuk është pengesë e konkurrencës, por e inkurajon atë. Ne duam të parandalojmë ato marrëveshje që janë në dëm të qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka theksuar se Autoriteti i Konkurrencës ka informacione se rritja e çmimeve është bërë një marrëveshje për rritjen e çmimit.

“Kemi bërë një rekomandim për BQK-në sepse kemi pasur një informacion se kompanitë mund të kenë një bashkërenditje të çmimit. Nuk mund ta quajmë as që është në favor të kompanive të sigurimit as që është në dëm të konsumatorëve. Kërkesa e autoritetit është që të ketë konkurrencë ndërmjet kompanive”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij rritja arbitrare nuk mund të jetë e njëjta në të gjitha kompanitë.

“Ne do të kemi hulumtime më të thella se a ka përqendrim apo a ka marrëveshje abuzive ndërmjet kompanive apo jo. Çdo gjë që e thotë Autoriteti i Konkurrencës do të jetë subjektive, por jemi në pritje të vendimit të BQK-së. Një gjë është e vërtetë, se përpos që paguajnë dëme kompanitë e sigurimeve kanë edhe përfitime”, shprehet ai.

Ymeri shton se çështja më delikate qëndron se të gjithë do të paguajnë njëjtë edhe ata që nuk shkaktojnë dëme edhe ata që s’bëjnë dëme.

Ai thotë se parimi themelor i ligjit të konkurrencës duhet të respektohet nga BQK-ja dhe kompanitë e sigurimit.

“Në kompletimin e informatave që i marrim ne jemi në procesin e hulumtimit te kompanitë e sigurimeve. Kemi filluar hetimet më të thella. Autoritetet kanë staf të vogël, por detyra e tyre është vetëm marrja e informatave. Kur zhvillojmë hetime ne vijmë deri në përfundim, që është publik. Dhe raportet e tilla pastaj i detyron institucionet e tjera të ndërmarrin masa”, u shpreh ai.