
Policia thotë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për protestën para BQK-së
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat për protestën e cila do të mbahet më 22 nëntor pranë objektit të BQK-së.
Ata përmes një njoftimi për media thonë se janë të njoftuar zyrtarisht për organizimin e protestës, derisa shtojnë se kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të mundësuar rrjedhën normale të protestës.
“Jemi te njoftuar zyrtarisht për organizmin e një proteste e cila do të mbahet para Bankës Qendrore të Kosovës. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të mundësuar rrjedhën normale të protestës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se protesta do të mbahet për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e çmimit për sigurimin e veturave.
Njëra protestë është paralajmëruar më 22 nëntor nga një grup në Facebook “Merakli të kerreve”, ndërkaq protesta tjetër është paralajmëruar për datën 23 nga “Speedomaniaks”.
Edhe një protestë kundër rritjes së çmimit për sigurim të veturave
Një protestë tjetër paralajmërohet kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e çmimit për sigurim të veturave.
Pas paralajmërimit të protestës nga grupi “Speedomaniaks” për të shtunën, më 23 nëntor, tani vjen një paralajmërim tjetër për protestë nga grupi i njohur në Facebook “Marakli t’kerreve”, raporton Koha.net.
“Marrakli t’kerreve” fton publikisht për protestë paqësore dhe pa kerre te rruga “Luan Haradinaj”, pranë BQK-së, më 22 nëntor (e premte) nga ora 13:00.
Gjithashtu, dje kundër vendimit të BQK-së ka nisur edhe një peticion online.
Postimi i plotë i grupit “Marakli t’kerreve”, pa ndërhyrje:
“Ftesë publike për protestë paqësore dhe pa kerre
Të gjithë e kemi parasysh që nga data 15 Nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%.
Duke e ditur këtë fakt i cili prek gjepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj me datë 22 NËNTOR 2019 (E Premte ) nga ora 13:00 grupi “Marakli t’kerreve” organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi. Protesta do të mbahet në rrugën “Luan Haradinaj” pranë BQK-së.
Ne ftojmë çdo qytetar, organizatë, media si dhe çdo palë tjetër të interesuar të na bashkohet në mënyrë që të arrijmë synimet tona”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.