Arbëri

Ekonomia e tezgave

“I kahit je?” - është pyetja që gjithnjë i shtrohet Skënder Gashit prapa tezgës në pazar. Myshterinjtë e lidhin me automatizëm cilësinë e lakrave dhe të patateve me vendin e kultivimit. “Paj, nëse i thu se laknat janë prej Akllapi, myshteria menjëherë e di se çfarë lakna po merr”, tregon ai. Ka katër vjet që është zhvendosur në fshatin tjetër të Lipjanit, Konjuh, i njohur për kultivimin e kulturave bujqësore të patates, qepës e lakrës.

Me pyetjen e ngjashme përballet edhe një shitës tjetër lakrash e patatesh nga Lipjani në rrugën që shpie në tregun e gjelbër të Ferizajt, shkruan “Koha Ditore”.

“Por nëse lakna u ba në Komunën e Obiliqit, kurrkush s’e merr, se është krejt helm prej pluhnit”, thotë Isak Spahiu, derisa pret që shitësi në fund të njëzetave t’ia mbushë një thes me tridhjetë kilogramë lakra. Kilogrami, 20 centë. “Sa e ki laknën e kuqe?” – e pyet ndërkohë Spahiu burrin qimerrallë. “Një euro”, ia kthen tjetri pa shikuar. Derisa blerësi mendohet shitësi, në kamionin-tezgë, i thotë: “E ki prej shpisë”.

“Faleminderit, se rasoji nuk pihet nëse s’është i kuq”, i drejtohet Spahiu.

Çmime të ndryshme

Pak më vonë, një burrë shtyhet kot në pazar për një thes papatesh prej rreth katër kilogramësh. “Nër një euro s’kam hesap”, thotë shitësi.

89 centë është thesi në një qendër tregtare matanë rrugës në dalje të Ferizajt. Por Spahiu thotë se pavarësisht çmimit më të ulët, nuk e ndërron me shitësin e patateve e lakrave nga Ruboci i Lipjanit. Për katër centë më i lartë është edhe çmimi i lakrës në një tjetër qendër tregtare. I njëjti produkt ofrohet me dy paketime e çmime të ndryshme. Aty lakra e kuqe është 49 centë copa, apo pesëdhjetë për qind më lirë se në kamionin-tezgë.

“Çmimet nuk janë kurrkund”, thotë Gashi, në garazhet e drunjta të makinerisë bujqësore anash shtëpisë në Konjuh. I dyti prej tre djemve ua pret qepëve bishtat para se t’i hedhë në gajbe plastike. I vogli po merret me riparimin e një mekanizmi bujqësor. Me kushërinj huazojnë makineritë e njëri-tjetrit. Varësisht prej nevojave.

Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha të produkteve bujqësore, derisa mijëra hektarë tokë bujqësore mbeten djerrinë. Ministria e Bujqësisë ndan çdo vit miliona euro subvencione për t’i nxitur bujqit që të zgjerojnë hisetë e kultivuara të tokës. Njëkohësisht, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, bankat komerciale në vend kanë ngritur kreditimin për sektorin e bujqësisë. Janë ulur edhe normat e interesit për t’i nxitur fermerët që të marrin kredi.

Megjithatë, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, Kosova importon çdo vit 105 milionë kilogramë grurë në vlerë prej 19 milionë eurosh. Importohet kryesisht nga Serbia, Austria e Hungaria. Nga Serbia janë importuar edhe 48 milionë kilogramë misër në vlerë prej 48 milionë eurosh. Kosova importon mbi 16 milionë kilogramë molla, ftoj dhe dardha në vit, në vlerë prej 6.5 milionë eurosh.

Në Kosovë importohet sasi e madhe e rrushit apo 4 milionë kilogramë në vit, në vlerë prej 2 milionë eurosh. Vjen kryesisht nga Maqedonia, Shqipëria e Italia. Sa u përket perimeve, importi vjetor i domateve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia kap vlerën e përgjithshme prej 5.2 milionë eurosh. Vendi importon tranguj apo 5.1 milionë kilogramë me vlerë financiare prej 1.7 milionë eurosh. Ndërsa importi vjetor i shalqinjve dhe pjeprave, kryesisht nga Shqipëria, arrin në 2.7 milionë euro. Importi i qepëve dhe hudhrave ka një kosto vjetore prej 2 milionë eurosh, përderisa këto mjete financiare u shkojnë prodhuesve nga Maqedonia, Holanda, Shqipëria dhe Serbia.

Tradita e Konjuhit

Gashi thotë se Kosova duhet të marrë masa proteksioniste për produktet e importuara në kohën kur nevojat e tregut mund të përmbushen me produkte vendore. “Po krejt bota more i mbron produktet e veta në sezonë”, thotë ai, duke treguar se si shtetet evropiane me ekonomi të tregut të lirë mbrojnë produktet e tyre.

Derisa importi vjetor i grurit arrin shumën prej 19 milionë eurosh, Kosova në të njëjtën kohë edhe e eksporton këtë kulturë bujqësore. Eksporti vjetor i grurit është 4.2 milionë euro, duke u orientuar kryesisht në Shqipëri. Ndërsa eksporti vjetor i patates, kryesisht drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, arrin vlerën prej mbi 1.6 milionë eurosh.

Kultura e patates vjet dhe ajo e lakrës parvjet u kanë sjellë bujqve vendës goxha fitim. Gashi thotë se çmimet u ngritën pothuajse dyfish për shkak se kishte thatësi në vendet evropiane. Shitësi i kamionit-tezgë në dalje të Ferizajt eksportoi nëpërmjet një pike grumbullimi patate në Shqipëri. “Edhe lakna ka shku mirë”, thotë ai.

Në Konjuh, të ndarë në dysh nga traseja e autostradës drejt Maqedonisë dhe që pothuajse është ngjitur me qytezën e Lipjanit, ka shumë familje që kultivojnë kultura bujqësore. “Është fshat që ka traditë në kultivimin e patates, të lakrës dhe qepës”, thotë Gashi, i cili më 28 nëntor i bën fiks katër vjet prejse u zhvendos në rrafsh.

Ka depo të mëdha sipërmarrësish, ku edhe tani angazhohen punëtorë për të mbushur thasë me patate. Dy gra dhe një burrë vendosin thasët në qoshen e njërës prej tri depove ngjitur. Njëherësh, njëra prej grave ia thotë këngës barabar me zërin e këngëtarit në kasetofon. “Përgjegjësi”, sikurse i referohet gruaja njërit prej tre punëtorëve të komunitetit ashkali, burrit me dorëza, është i prerë: “Nuk kemi çka me thanë”. Kthen shpinën dhe i kthehet punës. Gruaja i kthehet këngës për vuajtjet e dashurisë. Të katërtit janë veshur goxha trashë për t’u përballuar temperaturave në depon me dyert hapur krah e krah.

Nja dyqind metra më larg, në një dyqan ushqimor, shitësja tinejxhere tregon se 15 centë është kilogrami i patates. “Është patate e jona se e punojmë tokën, por nuk ka kush me fol se burrat s’janë këtu”, thotë vajza e zënë ngushtë.

Pengesat burokratike

45 centë kilogrami i patates është në një dyqan lagjeje në Ferizaj. “Ma mirë merre me thes; një euro, tre kilogramë”, thotë dyqanxhiu.

Bujqit thonë se ka dallim të madh të çmimeve të pakicës dhe shumicës për të njëjtin produkt. Gashi tregon se një thes patate prej 3.5 kilogramësh shitet një euro në tezgë, përderisa nëse blini me qindra kilogramë ulet deri në 50 centë. “Fitimi dyfish i shkon tregtarit”, thekson ai.

Kjo është arsyeja pse ai dhe shumë shitës të tjerë përgjatë rrugëve magjistrale thonë se shesin me pakicë para tezgave të improvizuara gjatë kohës sa mund të përballen me temperaturat e ulëta. “Gjatë dimrit kam myshterinj që kërkojnë pesëdhjetë deri në njëqind kilogramë patate. Atyre ua shes me një çmim ndërmjet pakicës dhe shumicës. Edhe ata kanë llogari, edhe për mu është i leverdishëm”, thotë Gashi.

Djali i dytë vazhdon t’ua shkurtojë me gërshërë bishtat qepëve para se t’i gjuajë pa shikuar në gajbe. I madhi, mësimdhënës, u ndihmon gjatë pikut të stinës, kur angazhohen edhe punëtorë stinorë. Atëherë duhet kanalizuar burimet njerëzore në punët e arave të mbjella me grurë, lakra, qepë, bostan, pjepër, misër dhe produkte serrash. Janë gjashtë hektarë tokë private e 14 hektarë me qira që punohen me kultura të ndryshme. Gashët furnizojnë edhe disa dyqane, por veprimtarinë e kanë përqendruar në tregjet e Lipjanit, Janjevës dhe Ferizajt.

Gashët i presin më shumë angazhime mot pasi sivjet kanë kontraktuar dhjetë hektarë shtesë me qira për të zgjeruar veprimtarinë. “Po del një pagë e mirë mesatare për secilin”, thotë kryefamiljari, kur pyetet për leverdinë ekonomike.

Taksa 100 për qind e produkteve nga Serbia, vendosur nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, u ka shkaktuar pengesa fermerëve, shton ai. “Taksa na ka sakatu”, thotë Gashi, duke shpjeguar se si janë përballur me mungesë pesticidesh pasi që prodhuesit gjermanë dhe izraelitë, që sillnin produktet nëpërmjet përfaqësive nga Serbia, kërkonin kompani të trajnuara e të autorizuara për të furnizuar bujqit e Kosovës.

“Ka shku një bujk në Gjermani me marr pesticide, por i kanë thanë: ‘Nuk guxojmë me të dhanë pa trajnim e autorizim’. Gjerman është ai”, thekson Gashi, duke kërkuar gjithashtu lehtësim të procedurave zyrtare për marrje të subvencioneve.

Një tjetër bujk i Konjuhit thotë se zyrtarë të Komunës së Graçanicës nuk e kryejnë punën e tyre pa iu dhënë mitë. “Këtë mos e le pa e shkru: Në Graçanicë nuk mundesh me nxjerrë fletën poseduese pa i dhanë ryshfet”.