Arbëri

Drejtuesve të Doganës dhe të ATK-së nga fillimi nuk u kishte pëlqyer ideja e bashkimit

Për ta luftuar evazionin fiskal në vitin 2014, kur kryeministër ishte Isa Mustafa, Qeveria pati propozuar që të bashkohen dy agjencitë e të hyrave në Kosovë, Dogana dhe Administrata Tatimore. Për këtë çështje ishin bërë disa lëvizje të vogla, por asgjë konkrete.

Që nga ajo kohë është realizuar vetëm projektligji, megjithatë ky nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend. Por, zyrtarë të lidhur ngushtë me këto dy institucione janë kundër këtij bashkimi, raporton KTV.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se është më mirë që këto dy institucione të veprojnë kështu siç janë tani, por shton se nëse nxirret ndonjë ligj që funksionalizon këto dy agjenci, ata do ta respektojnë këtë.

Luzim Rafuna, këshilltar i ministrit në largim të Financave, Bedri Hamza, ka thënë se është më mirë që dogana të funksionojë si institucion i vetëm.

Rafuna, i cili ishte edhe drejtor i Doganës në kohën kur ishte përmendur kjo ide, shton se ky institucion paraqet edhe shtetësinë e vendit dhe, marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhet Kosova, do të ishte më mirë që të mos jetësohej ky propozim.

Edhe zyrtarë të Doganës së Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim, thonë se do të respektojnë çdo vendim të Qeverisë. Megjithatë, sipas tyre, ky institucion ka disa role tjera përveç asaj të mbledhjes së taksave, si luftimi i krimit trans-kufitar dhe luftimi i kontrabandës.

Për më tepër, sipas tyre, Dogana e Kosovës tashmë është edhe pjesë e Organizatës Botërore të Doganave.