Shqipëria e Kosova kanë barriera të pajustifikueshme në shkëmbimet tregtare Foto: Koha / ilustrim

Shqipëria e Kosova kanë barriera të pajustifikueshme në shkëmbimet tregtare

16 November 2019 13:34

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka thotë se ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës po vazhdojnë barriera të pajustifikueshme.

Sipas tij, duhet të ketë një plan veprimi për t’u hequr barrierat jotarifore dhe tarifore, në mënyrë që kosto e lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas mos të rrisë kostot e sipërmarrjes në të dy vendet.

Nikolin Jaka në një intervistë për KosovaPress, thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi në sinkron me procesin e Berlinit, i cili si agjendë është integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor brenda ekonomisë së vet, në mënyrë që të përformojë siç duhet në ekonominë evropiane.

“Na duhet një koordinim i mirë i të gjithë politikës rajonale, e në veçanti në rastin konkret i politikës së Kosovës dhe Shqipërisë, Maqedonisë dhe i gjithë shteteve të cilat kanë prezencën e shumtë të shqiptarëve brenda shteteve të tyre. Por ajo çfarë ngelet për t’u parë me shumë kujdes është marrëdhënia Shqipëri-Kosovë, vazhdojmë të kemi barriera të pajustifikueshme ndërmjet bizneseve tona”, tha ai.

Ai shtoi se janë në pritje të formimit të Qeverisë së re të Kosovës, në mënyrë që t’ua dorëzojnë qeverive, në të dy anët e kufirit, agjendën e cila paraqet kushtet konkrete që përfshijnë heqjen e barrierave.

Plani është i hartuar nga forumi kombëtar ekonomik që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, dhe përmban 20 pika për heqjen e pengesave në mes tre shteteve.

“Ne kemi një forum, që është forumi kombëtar ekonomik i cili përfshin Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën, dhe kemi një agjendë të cilën brenda dhjetorit po presim formimin e Qeverisë së Kosovës që këtë agjendë t’ua vëmë qeverive në tryezë dhe do të ketë kushte konkrete, dhe shumë shpejtë do të ketë një reagim të sipërmarrjes mbarëkombëtare shqiptare... Kushtet janë: heqja e gjithë barrierave tarifore dhe jotarifore, është një paketë e punuar nga koordinatorët e Shqipërisë që është Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut në Tiranë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Klubi i Prodhuesve, dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore. Është një paketë me rreth 20 pika për heqjen e barrierave dhe pengesave që nxjerr ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë”, thotë ai.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thotë se duhet parë vullnetin e politikanëve, se a duan të heqin kufijtë ekonomik në mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo vetëm mbajnë mbledhje të panumërta.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme