Arbëri

Qeveria VV-LDK synon ekip e platformë për dialogun me Serbinë, PDK-ja s'përfshihet

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se e kanë të qartë mënyrën se si do t’i qasen dialogut me Serbinë. Duan që dy të tretat e deputetëve të Kuvendit - konstituimi i të cilit po vonohet - ta miratojnë një platformë-rezolutë për dialogun dhe gjithsesi përfshirjen e opozitës në këtë proces. Por një burim nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Koha.net se s'do të përfshihen në dialog. 

Shoqëria civile ngre nevojën se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi të bëhet pas një konsensusi të gjerë politik. Qeveria e kaluar dështoi ta bëjë një gjë të tillë, pas refuzimit të opozitës së atëhershme që të përfshihet në Ekip e Platformë, që më pas i rrëzoi Kushtetuesja.

Sfidë për qeverinë e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave do të jetë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, mbetet ta arrijë këtë konsensus.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht kërkon rifillimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, i cili qe ndërprerë në verën e këtij viti, pasi Serbia refuzonte pjesëmarrjen në tavolinën me Kosovën që i kishte vënë tarifë 100 për qind mallrave të saj.

Ka kaluar më shumë se një muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por ende nuk është certifikuar rezultati, dhe rrjedhimisht as nuk kanë nisur hapat për konstituimin e Kuvendit e formimin e Qeverisë. E pa funksionuar këto dyja, dialogu s’mund të nisë.

Ndonëse nuk dihet saktë se kur do të formohet Qeveria e re, eksponentë nga dy partitë që pritet ta krijojnë atë, (VV-LDK), vlerësojnë se dialogun do ta marrin shumë seriozisht. Nga të dyja këto parti, për Koha.net flasin për platformën dhe ekipin negociator, që pritet të krijohen.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Koha.net se dialogu me Serbinë, kërkon qasje serioze të institucioneve shtetërore, e cila qasje ka munguar nga qeveria në largim. Hoti, thekson se fillimisht do të miratohet një platformë-rezolutë për dialogun. Për këtë, duhen 2/3 e votave të deputetëve të ardhshëm.

“Qeveria e re do të marrë përsipër udhëheqjen e këtij procesi mbi bazën e përgjegjësive të veta kushtetuese. Nuk do të eksperimentohet me ekipe dialoguese e platforma jo kushtetuese. Në fillim të këtij procesi, do të miratohet një platformë-rezolutë për dialogun, e cila duhet të marrë mbështetje të gjerë në Kuvendin e Kosovës prej 2/3 të votave të deputetëve, ku specifikohen parimet në bazë të të cilave Qeveria e zhvillon dialogun me Serbinë”, tha Hoti për Koha.net.

Sipas Hotit, opozita duhet të jetë e përfshirë në këtë proces, duke e thënë fjalën e saj në platformë-rezolutën që miratohet në Kuvend, si dhe, siç thotë Hoti “duke e mbikëqyrë dhe kërkuar llogari për dialogun përmes rolit të saj në Kuvend”.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu në një përgjigje për Koha.net thotë se sa i përket dialogut me Serbinë, qëndrimet mes VV-LDK janë të qarta.

“Tashmë pothuajse kemi përfunduar çështjet që kanë të bëjnë me programin qeveritar. Politika e jashtme, ku do të përfshihet çështja e dialogut, do të jetë temë që do të trajtohet nga dy kryetarët e dy subjekteve politike. Ne jemi shumë të interesuar që me intensitetin e njëjtë të grupit punues të vazhdojnë edhe takimet në nivel të kryetarëve. Besojmë që javën që vjen do të nisin këto takime”, tha Haxhiu.

Haxhiu, ndër tjera shton se dy projektet e dëmshme e të rrezikshme siç janë, “Zajednica” dhe shkëmbimi territorial, me qeverisjen VV-LDK, do të vdesin përfundimisht.

“Nuk do të ketë dialog për çështje të brendshme të Kosovës, do të përqendrohemi që bashkë me Kuvendin, të bëjmë analizën e 33 marrëveshjeve me Serbinë. Po ashtu qeveria Kurti, do të merret me dialogun, me serbët e Kosovës për integrim dhe në anën tjetër bashkë me Kuvendin e Kosovës, do të punojmë në listën e kërkesave për Serbinë, ku përfshihen të pagjeturit dhe dëmet e luftës. Nuk mund të ecim tutje pa këtë qasje. Ne nuk na duhen marrëveshjet e shpejta dhe të dëmshme. Kurrë nuk do t'i bëjmë koncesione Kosovës, siç i bënë qeverisjet e kaluara”, përfundon Haxhiu nga VV.

  • PDK-ja s’do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Një burim brenda Partisë Demokratike të Kosovës, në kushte anonimiteti i ka thënë portalit Koha.net se s’do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky burim, thotë se me kushtetutë, ligje dhe rezolutë, janë të përcaktuara qartë përgjegjësitë e institucioneve në procesin e dialogut.

“Megjithatë në të kaluarën PDK-ja si udhëheqëse e institucioneve gjithmonë u ka bërë thirrje partive opozitare që të bëhen pjesë e proceseve të rëndësishme që kërkojnë konsensus nacional por ato kanë refuzuar duke kalkuluar për interesa elektorale. Tani është e pamoralshme nga ana e tyre që të kërkojnë nga opozita e re të bëhet pjesë e një procesi që vet e kanë refuzuar për vite me radhë duke e lënë vendin të bllokuar dhe të izoluar nga partnerët perëndimorë”, thotë ky burim.

Tutje, për Koha.net thekson se partitë që do të udhëheqin koalicionin e ardhshëm qeveritar e kanë përgjegjësi që të realizojnë premtimet e bëra ndër vite para qytetarëve, si për procesin e dialogut ashtu edhe për zhvillimet brenda vendit.

“Është përgjegjësi e tyre të dëshmojnë atë për çfarë i kanë mashtruar qytetarët tash e sa vite. Tani ato do të shohin se vendi nuk udhëhiqet me deklarata populiste por me vendime konkrete. PDK-ja do të jete gjithmonë në ballë të detyrës dhe nuk do të lejojë asnjë devijim të rrugës së shtetit të Kosovës me aleancë të përhershme me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë”, thotë ky burim.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje për Koha.net. 


Demush Shasha nga instituti EPIK, duke folur për Koha.net, vlerëson se janë gjashtë hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, përfshirë këtu një platformë dhe gjithashtu një ekip negociues.

“Fillimisht, Kuvendi duhet ta votojë me 80 vota ekipin negociator, platformën negociuese dhe kufizimet e mandatit negociues”, thotë ai.

Sipas Shashës, pas votimit të tyre, ekipi negociator ka për obligim që të zhvillojë negociatat nën kontroll të Kuvendit, ku pas çdo raundi negociatash është i obliguar të raportojë në seancë plenare të Kuvendit.

“Në fund të procesit negociator, marrëveshja e negociuar duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 80 vota të të gjithë deputetëve. Në këtë kontekst, sa i përket qeverisë së re, konsideroj se duhet të sigurojë përfshirje substanciale të opozitës së re në procesin negociator me qëllim të krijimit të konsensusit të gjerë për një çështje të interesit mbi partiak”, thotë Shasha.

Drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, thotë se sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, strategjia e Zgjerimit e Komisionit Evropian, e shkurtit të vitit 2018, ka vendosur arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, kriter për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë.

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, juridikisht të obligueshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është urgjente dhe kyçe për avancimin e rrugës Evropiane të vendeve respektive”, thotë tutje Shasha.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një përgjigje për Koha.net thotë se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi kërkon një konsensus të gjerë politik.

“Duket që ka një presion të vazhdueshëm ndërkombëtar prej kohës së vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH ndërsa afatet kohore janë përmendur në vazhdimësi kur është diskutuar për fazën përmbyllëse të dialogut. Tani duket që afati kohor i cili është duke u përmendur ka të bëjë me zgjidhje që pritet të mbahet në pranverë në Serbi dhe që kërkesat shkojnë në drejtim të rifillimit të dialogut sa më parë me mundësi arritjen e marrëveshjes brenda kësaj periudhe”, thotë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, aktgjykimi i gjykatës kushtetuese shumë qartazi ka ritheksuar përgjegjësit dhe kompetencat e institucioneve në procesin e politikës së jashtme ndërsa ligji për marrëveshjet ndërkombëtare përcakton kompetencat e secilit institucion.

“Në kuadër të këtyre kompetencave është mëse e qartë që kryeministri duhet të udhëheqë me këtë proces, në konsultim me Presidentin e vendit, nën mbikëqyrjen e Kuvendit. Prandaj është kyçe që të kemi Qeveri të re në drejtim të bisedime formale rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha ajo.

  • Ekipi negociator që u shpall i jashtëligjshëm dhe pritjet për të riun

Kur çështja e dialogut me Serbinë nxiti reagime se s’po merr epilog, Kuvendi i Kosovës miratoi ekipin negociator dhe qeveria, në krye me Ramush Haradinajn, i dha kompetenca për të cilin edhe ndau 300 mijë euro.

Një shumë prej tyre, ky ekip negociator e kishte shpenzuar. Por më vonë, Gjykata Kushtetuese e shpalli të jashtëligjshëm.

Në një përgjigje për Koha.net nga Qeveria në detyrë e Kosovës, thonë se 230 mijë euro të pashpenzuara të Delegacionit të kundërligjshëm, i janë kthyer buxhetit të Kosovës. Fiks 230,242,43 euro, prej 300 mijë që i ishin ndarë, sipas qeverisë në detyrë, janë kthyer në rezervat e buxhetit. Nuk dihet nëse ato do të shfrytëzohen prapë për çështje rreth dialogut.

Në qershor të vitit 2019, ky ekip u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kushtetuesja, kishte konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”. Ky Ekip, ishte formuar në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin në krye me zëvendëskryeministrin në detyrë, Fatmir Limajn, dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmetin.

Jeta Krasniqi nga KDI, thotë për Koha.net se shteti duhet të ketë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme qofshin ato financiare dhe mbi të gjitha njerëzore për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kjo me qëllim që pala kosovare të jetë sa më e përgatitur për këtë proces. Fondet patjetër që nuk duhet të keqpërdoren apo të përdoren për punësim të militantëve partiakë. Procesi i dialogut është një proces i rëndësisë së lartë shtetërore dhe duhet të trajtohet me seriozitet të lartë nga spektri politik i cili jo rrallë herë ka vënë interesa partiake para këtij procesi”, tha Krasniqi.

Koha.net ka provuar të flasë edhe me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, i cili më herët ka thënë se në krye të qeverisë me të, do ta udhëheqë dialogun me ekipet e veta. Por portali s’ka arritur të marrë qëndrim tjetër sqarues rreth kësaj. Kurti vazhdimisht ka deklaruar se Kosova, duhet fillimisht të definojë se çka do nga dialogu. Pati thënë se duhet krijuar platforma me parime, e më pas një ekip negociator me legjitimitet nga Kuvendi.

“Dialogun do ta udhëheq unë si kryeministër i ardhshëm, do ta kem ekipin tim në dy nivele. I pari do të jetë përfaqësim politik ku do të jenë edhe nga opozita, dhe ekipi tjetër me ekspertë sepse do të ketë aspekte të ndryshme për marrëveshjen e ardhshme. Por më të rëndësishmet janë tri parime – i pari që të mos ketë marrëveshje pa dialog, i dyti që të mos ketë dialog me harta, ku presidentët shiten sikur janë gjeneralë ushtarakë në luftë, dhe i treti që s’ka presidentë rreth hartave, por të jenë vetëm ekspertë të demarkacionit”, kishte deklaruar më herët Kurti.

  • Ndërkombëtarët duan përmbylljen e dialogut – që ende s’ka rifilluar

Ambasadori i Hungarisë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, pak ditë më parë ka thënë se do ta ketë prioritet Ballkanin Perëndimor nëse ai konfirmohet komisioner për Zgjerim. Ndër tjera, ka thënë se do të punojë intensivisht që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet në vitin 2020.

Drejtori ekzekutiv i EPIK, Demush Shasha, për Koha.net thotë se megjithatë është e gabueshme që të vendosen datat për një proces kaq delikat dhe të ndjeshëm, siç është normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sidoqoftë, konsideroj se Kosova dhe Serbia duhet të shfrytëzojnë interesin dhe përkrahjen e partnerëve tanë për të na mbështetur në zgjedhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale. Prandaj, Kosova duhet pa humbur kohë të fillojë ndërtimin e konsensusit të brendshëm nacional për negociatat me Serbinë me qëllim të avancimit të perspektivës evropiane të saj, me theks të veçantë në sigurimin e liberalizmit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat”, thotë Shasha.

Edhe komisioneri aktual për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, që takoi të premten në Bruksel kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, foli për dialogun. Hahni, ndër tjera tha se “normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor për të ardhmen evropiane të Kosovës”.

Për dialogun Kosovë-Serbi, ka folur edhe gjeneralmajori italian Lorenzo D’Addario, i cili ka udhëhequr misionin e KFOR-it në Kosovë, por së shpejti pritet ta dorëzojë mandatin tek komandanti i ardhshëm.

Ai në një intervistë për mediat e Grupit KOHA, tha se dialogu është një çështje që duhet të përmbyllet mes dy shteteve.

“Dialogu Kosovë-Serbi është një copëz shumë e rëndësishme, ngase do të zhbllokonte shumë situata dhe do të siguronte që Kosova të jetë në gjendje që të nxjerrë përfitime të plota prej asaj që i ofrohet si pjesëtare e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë ndër të tjera gjeneralmajori Lorenzo D’Addario.

Qeveria e re e Kosovës do të duhet të përballet me temën e dialogut me Serbinë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të ketë në këtë proces. Kjo është kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare e veçanërisht e SHBA-së, e cila së fundi është theksuar nga i ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

“Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat, të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”, kishte deklaruar Palmer muaj më parë.

Edhe vendet e QUINT-it, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe rifillimin e dialogut.