Qeverisë i kërkohet ta trajtojë me seriozitet e prioritet agjendën e reformave evropiane Foto: Driton Paçarada / Koha

Qeverisë i kërkohet ta trajtojë me seriozitet e prioritet agjendën e reformave evropiane

16 November 2019 09:37

Në rrugën integruese për në Bashkimin Evropian (BE), Kosova në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është e fundit, pasi nuk ka aplikuar ende as për statusin e vendit kandidat.

Mungesa e vullnetit politik ka bërë që vendi të ngecë sa i përket përmbushjes së kushteve të dala nga marrëveshjet me BE-në, tha për Ekonomia Online, Demush Shaha, nga Instituti EPIK.

Ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian, thotë se institucione nuk kanë shënuar progres në zbatimin e obligimeve të marra nga BE-ja.

“Në këtë drejtim perspektiva evropiane e Kosovës ka pasur një ngecje viteve të fundit nga dy aspekte, aspekti i parë është mungesa e vullnetit politik të institucioneve tona të Qeverisë për të ndërmarrë reforma në rrugën tonë integruese dhe kur e themi këtë mund ta dëshmojë duke e shikuar së paku dy dokumente kryesore Programi Kombëtar për Zbatimin MSA-së dhe Agjenda Evropiane e Reformave”, ka thënë Shasha.

Sipas tij, në këto dy dokumente sipas vet institucioneve vetëm 2/3 janë zbatuar që i bie 1/3 nuk është zbatuar fare, ndërsa të agjenda e reformave vetëm 5 nga 22 prioritet u përmbushën.

“Arsyeja kryesore është mungesa e vullnetit politik për të avancuar në fushat sikurse sundimi i ligjit, reforma në administratë publike dhe sektorët e tjerë”, thotë ai.

Në këtë aspekt ai thotë se kanë ndikuar edhe problemet e brendshme të BE-së.

“Nëse i analizojmë këto dy pengesa kryesore në rrugën tonë për të ndërmarrë reformat evropiane mund të konkludojmë mungesa e vullnetit politik është pengesë kryesore. Tani aspekti i dytë është ato problemet e brendshme të BE-së ku po kalon nëpër një proces evolutiv ku disa vende kanë këndvështrime të ndryshme se si duhet të shkojë zgjerimi përpara”, thotë Shasha.

Përderisa Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime të Politikave, thotë se në bazë të të gjeturave të tyre, 62% e obligimeve të ERA-s janë përmbushur.

Sipas tij, institucionet marrëveshjet kontraktuare me BE-në si MSA dhe ERA i kanë zbatuar më ritëm të ngadaltë.

“Marrëveshja ERA është një dokument që ka dal nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe në total ka 29 masa të parapara në të për të zbatuar nga Qeveria e Kosovës. Në hulumtimin tonë të fundit para disa muajsh ne kemi gjetur se diku 62% të obligimeve të ERA-s janë zbatuar në plotësisht. Në anën tjetër ka një përqindje të obligimeve të tjera që janë zbatuar në mënyrë të pjesshme”, ka thënë Berisha.

“Marrë në përgjithësi mund të thuhet që tempo e zbatimit obligimeve që dalin nga marrëveshjet kontraktuare me BE-në si MSA dhe ERA nga Qeveria e Kosovës kanë me një ritëm më të ngadaltë ose ka mundur të ketë një tempo më të lartë të zbatimit të tyre. Qeveria e shkuar sikur dihet ka pasur një ritëm goxha të ngadaltë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Ai thotë se Qeveria e re duhet ta trajtojë me seriozitet dhe ta vendos në prioritet agjendën e reformave evropiane.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme