Arbëri

Grenell: Nisma për Mini-Schengenin mund të jetë e suksesshme nëse përfshihet edhe Kosova

Descriptive Text

Ambasadori Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë - Serbi, tha të enjten se e mirëpret nismën për "shëngenin ballkanik", duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, përfshirë edhe Kosovën.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin, thuhet se "ne mirëpresim nismën për "mini-Shengenin" e Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë", thuhet në deklaratë, transmeton VOA.

Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Balkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Të dielën që lamë pas, në Ohër u mbajt takimi i radhës që pasoi atë të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad dhe aty ishin ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Por, Kosova refuzoi pjesëmarrjen duke e cilësuar nismën si një përpjekje për rikrijim të një Jugosllavie. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk dëshiron ta zëvendësojë ardhmërinë euroatlantike me çfarëdo nisme rajonale.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, tha të mërkurën se është bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Shqipëria, sipas tij, është dashur të pres formimin e qeverisë së re të Kosovës para çdo nisme rajonale.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, kritikoi Kosovën për vetizolim ndërsa theksoi se nisma ka për qëllim vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.