Operimi i mini-hidrocentraleve e paraparë me strategjinë 2017-2026, kritikohet ashpër

Arbnora Luta Arbnora Luta 14 November 2019 22:40

Shoqëria civile po kërkon shqyrtim të strategjisë për prodhimin e energjisë së ripërtërishme. Sipas shoqërisë civile, Kosova nuk ka kapacitete ujore të mjaftueshme për prodhimin e energjisë alternative.

Ndërkaq, ambientalistët thonë se nuk duhet lejuar degradimi i lumenjve për interesa të grupeve të caktuara, raporton KTV.

Hartuesja e strategjisë bazë 2017-2026, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në një përgjigje me shkrim, i ka thënë KTV-së se nuk parashihet një tjetër strategji dhe se nuk ka nevojë për ndryshimin e kësaj ekzistuese.

“Kemi filluar reforma në formën se si merren licencat për energji, duke kaluar nga forma me tarifa-nxitëse, në formë konkurruese përmes ankandeve, praktikë kjo prezente tashmë në vendet e zhvilluara në Evropë. Sa u përket hidrocentraleve, e kam cekur edhe më herët se udhëzimi administrativ që vendos caqet për çdo lloj burimi të energjisë së ripërtërishme është i gatshëm për ndryshim, ku qëllimi im ishte që licencat e pashfrytëzuara të hidrocentraleve, rreth 110 megavat, të kthehen në energji me erë dhe diell. Iniciativa ime për ndryshim është pikërisht pse mendoj që Kosova ka shumë pak lumenj dhe ata që i kemi janë të vegjël për nga kapaciteti”, ka thënë Valdrin Lluka, ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik.

Aktualisht, operojnë 14 hidrocentrale të vogla dhe 21 të tjera janë në faza të ndryshme të procedimit. Operimi i tyre po kundërshtohet nga qytetarët dhe shoqëria civile, e cila edhe kishte iniciuar një peticion kundër kësaj nisme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme