Arbëri

Kosova mirëpret dështimin e spiunit rus e zgjedhjen e Beyerit raportues për Kosovën në KE

Peter Beyer, deputet gjerman, i njeh mjaft mirë zhvillimet politike në Ballkan dhe ka vizituar Kosovën disa herë.

Ngjashëm, në Kosovë ka qëndruar edhe Aleksei Kondratiev, por shtetasi rus ishte një spiun që 2 vitet e kaluara në Kosovë i kishte përfunduar duke u larguar si i dyshuar, mes tjerash, edhe për një tentim kidnapimi, raporton KTV.

Këtë të enjte, Kondratiev ka qenë në garë me Beyer-in, për një pozitë të rëndësishme në Këshillin e Evropës, atë të raportuesit për Kosovën.

Dhe deputeti Gjerman, Beyer, që vjen nga radhët e CDU-së, ka dalë triumfues me 33 vota, kundër 6 që i mori Kondratiev.

Organizatat e shoqërisë civile në Prishtinë, mbi 40 prej të cilave paraprakisht iu drejtuan me një letër Këshillit, i kanë mirëpritur rezultatet e votimit që u zhvilluan në Bundestagun Gjerman.

Megjithatë, Kosova ende mbetet jashtë Këshillit të Evropës, çka mbetet synim për qeverinë e ardhshme.

Ndër të parat që ka reaguar për votat e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka qenë Mimoza Ahmetaj, që udhëheq misionin kosovar në Këshill.

Ajo ka falënderuar anëtarët e Asamblesë për, siç ka shkruar, mbështetjen e dhënë për vlerat e vërteta të demokracisë.

Përveç Ahmetajt, zgjedhje e gjermanit Beyer e kanë përshëndetur edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm në largim, Behgjet Pacolli, dhe zëvendëskryeministri në largim, Enver Hoxhaj.