Dy mediume të Grupit KOHA, TV ARTA dhe portali Koha.net po festojnë 10 vjetorin e themelimit.
E një dekadë e punës në të dyja mediumet, është vlerësuar sa sfiduese aq edhe e kënaqshme për gazetarët e redaktorët të cilët janë pjesë e tyre.
Driton Mehmeti redaktor në TV ARTA tha se do të ketë shumë risi nga ky medium. E një nga to, Mehmeti përmendi lidhjet direkte nga terreni.
“Në TV ARTA do të ketë risi të shumta. Do të kemi më shumë ngjarje të drejtpërdrejta, gjithashtu do të shtohen edhe lidhjet direkte nga terreni”, ka thënë ai.
Ndërkaq, redaktori i portalit Koha.net, Artan Krasniqi, ka thënë se besueshmëria është një nga vlerat kryesore që ofron portali.
Sipas tij, të qenit të parët nuk është më e rëndësishme se sa informimi i saktë i publikut.
“Ajo për çka ne çmohemi është besueshmëria. Neve na bënë të ndihemi krenar për besueshmërinë që ne ofrojmë. Ne nuk insistojmë me qenë të parët por nuk ia lejojmë vetës qe ta publikojmë një lajm e të cilin detyrohemi ta fshijmë për shkak se është i pasaktë. Ne po e bëjmë maksimumin për të qenë të besueshëm tek publiku”, ka thënë ai.
Ai thotë se klima e punës që është krijuar në portal është një nga eksperiencat më të mira të punës.
Ndërkaq Fortuna Shkodra, gazetare në portalin Koha.net ka thënë se në vazhdimësi janë munduar që të sjellin saktësi tek publiku.
“Mendoj që bashkimi në një desk është duke na ndihmuar sepse në portal vlen shpejtësia e lajmit, tash kur po duam të postojmë diçka në portal po diskutojmë dhe po marrim nga njeri-tjetri informacione shtesë, e pastaj lajmi po del me i plotë. E mira tek ne është se e kemi mendu gjithmonë që më mirë është jemi të dytit por të saktë se sa të parët e të pasaktë”, ka thënë ajo.
-
14 nëntor 2019 19:50
-
Shpërndaje në: