Qerkini ankohet për procedurat e Speciales, thotë se cilësimi “dëshmitar i dyshuar” nuk ekziston

Qerkini ankohet për procedurat e Speciales, thotë se cilësimi “dëshmitar i dyshuar” nuk ekziston

13 November 2019 23:43

Artan Qerkini, avokat i certifikuar për Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Gjykata Speciale në Hagë, ka thënë se ftesat që u kanë ardhur ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të tjerëve nga kjo gjykatë, kanë qenë konfuze në disa raste.

Kjo pasi, siç tha Qerkini në Interaktiv të KTV-së, ato kanë ardhur me cilësimin “dëshmitar i dyshuar”.

“Dëshmitar i dyshuar në praktikën e procedurës penale nuk ekziston, sepse të tjera janë obligimet që i ka i pandehuri dhe të tjera dëshmitari. I pandehuri mundet edhe të mbrohet në heshtje, e dëshmitari duhet të flasë. I pandehuri mund të ndryshojë deklaratat, por jo edhe i dyshuari. Është e vërtetë se Zyra e Prokurorit Special ka qenë konfuze në këtë drejtim sepse nganjëherë nuk është bërë e qartë se në çfarë cilësie po ftohet një person për të dhënë një deklaratë, dhe kjo e ka bërë procedurën edhe më konfuze. Kjo edhe ka qenë vërejtja kryesore e mbrojtjes”, tha ai.

Qerkini tha se i ftuari nga Zyra e Prokurorit Special duhet të dijë cilësinë se për çfarë po ftohet sepse edhe pasojat procedurale janë të ndryshme.

Më tej, ai tha se Zyra e Prokurorit Special aktualisht është në fazën e hetimeve, ndërsa deklaroi se të dyshuarit ftohen zakonisht në fazën e fundit të hetimeve.

“Në bazë të ftesave të cilat po vijnë në Kosovë, dhe bazuar në rregulloren e procedurës dhe provave, bëhet fjalë për fazën e hetimeve. Vërehet një angazhim i zyrës së prokurorit të specializuar. Zakonisht të dyshuarit ftohen të japin deklaratat e tyre në fazën e fundit të hetimeve, kjo është praktikë e zakonshme, por mbetet të shihet se a është kjo praktikë edhe e Zyrës së Prokurorit Special”.

“Prokurori ka mundësi edhe të pushojë hetimet nëse s’arrin të sigurojë prova që do të bindnin një gjyqtar të pavarur se janë krye krime”.

Artan Qerkini, avokat i Blerim Kuçit, i cili u ftua nga Gjykata Speciale, ka thënë se klienti i tij është mbrojtur në heshtje.

Ai thotë se në aspektin e sjelljes në Gjykatë, s’ka pasur vërejtje. Por, thotë se kanë pasur vërejtje në vet procedurën e marrjes në pyetje.

“Njëra nga vërejtjet ka qenë që kur i lexohen të drejtat personit të dyshuar, është përcaktuar edhe një obligim për të dyshuarin, i cili sipas mendimit të mbrojtjes nuk është kompatibil me jurisprudencën evropiane sepse i është kërkuar të flasë të vërtetën. Nuk është praktikë juridike kjo. Mund ta klasifikojmë si shpikje të kësaj Zyre. I vetmi obligim i të dyshuarit është që të paraqitet në gjykatë. Sepse ai mund të përdorë heshtjen, mund të vendos të jap deklaratë, por të mos përgjigjet në pyetjet që potencialisht mund ta inkriminojë veten. Kemi pasur tjetër vërejtje serioze, kur prokurorët ua kanë lexuar të drejtat, s’i kanë treguar në hollësi të dyshuarit se për çfarë po dyshohet, dhe cilat janë ato veprime inkriminuese të prokurorisë”, deklaroi Qerkini.

“Zotëri Kuçit i kemi sugjeruar që të mbrohet në heshtje, sepse akuzat e prokurorisë s’kanë qenë të detajuara. Ne s’kemi qenë në gjendje të organizojmë mbrojtjen pa e ditur sulmin”, u shpreh ai.

Tutje Qerkini ka thënë se janë tejkaluar të gjitha prognozat rreth ftesave nga Specialja, kur dihet se tashmë numri i të ftuarve ka shkuar mbi 250.

“Është e dejtë e Prokurorisë që një person ta thërrasë disa herë. Por, nëse asaj i bëhet e qartë se personi është mbrojtur në heshtje atëherë nuk do të thirret, por proceduralisht është e mundshme që të thirret, megjithatë nuk mund ta detyrojë që të flasë. Numri i ftesave i ka tejkaluar të gjitha prognozat se sa do të ftohen dhe kush do të jetë i ftuar. Disa prej personave janë të ftuar si të dyshuar e disa si të dëshmitarë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka treguar procedurën me rastin e intervistimit.

“I dyshuari njoftohet me të drejtat që i takojnë. Pastaj merren të dhënat personale. Pastaj ne presim që Prokuroria ta njoftojë të dyshuarin për gjërat që dyshohet. Prokuroria e ka bërë këtë por në mënyrë shumë të përgjithësuar, e kjo bie ndesh me gjykatën e Strasburgut, pasi i dyshuari duhet të njoftohet në detaje. E pas kësaj mbrojtja kërkon të konsultohet me klientin dhe më pas i konfirmojmë se do të mbrohet në mbrojtje i dyshuari. Gjithçka incizohet me kamera. Është një zyre shumë e rëndomtë, e pajisur me kamerë e me një laptop dhe është një zyre shumë normale”, u shpreh Qerkini.

Sipas tij kur prokurori i lexon të drejtat të dyshuarit thotë se nëse i dyshuari mbrohet në heshtje akuzat nuk mund ta rëndojnë e as të lehtësojnë akuzat ndaj të pandehurit.

“Prokuroria e as gjykata s’mund të nxjerrë epilog të pafavorshëm pse dikush është mbrojtur në heshtje. Ne jemi të diskriminuar në raport me avokatët e tjerë për shkak të vizave, megjithatë pajisja e jonë me vizë nuk guxon të bëhet vetëm për intervistim. E neve na jepet viza vetëm për periudhën kur ne e mbrojmë klientin tonë, e kjo është e padrejtë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se ende nuk ka pasur kërkesa për caktimin e paraburgimit, pasi mendoj se një gjë e tillë është e vështirë të dëshmohet se ekziston rreziku i ikjes së të dyshuarve.

Qerkini thotë se Kosova duhet t’i mbulojë shpenzimet e të ftuarve.

“Kjo çështja e financimit të mbrojtjes është çështje e klientit. Konsideroj se meqenëse Kosova do t’i dërgojë shtetasit e saj për një gjykim jashtë vendit atëherë duhet t’i mbulojë shpenzimet. Nuk e di nëse Kuqi ka marrë para me këtë rast apo jo. Kam klientë që janë intervistuar edhe Kosovë”, thotë Qerkini.

Tutje ai thotë se ende nuk është paraqitur ndonjë aktakuzë.

“Gjykata Speciale është funksionale, por ajo nuk mund të vihet në lëvizje pa u dorëzuar aktakuza nga dhoma e Speciales. Nuk e dimë ende se a është paraqitur ndonjë aktakuzë”, u shpreh Qerkini.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme