Cakaj: Serbia qëllimshëm ka dështuar të adresojë krimet e luftës në Kosovë

Cakaj: Serbia qëllimshëm ka dështuar të adresojë krimet e luftës në Kosovë

12 November 2019 22:58

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës në Kosovë në mënyrë të qëllimshme.

Këtë e ka thënë pas një takimi me Vasfije Krasniqi-Goodmanin, gruan që e para doli publikisht duke treguar se ishte dhunuar seksualisht gjatë luftës nga forcat serbe.

“Sot pata nderin e veçantë të pres në takim nga Kosova znj. Vasfije Krasniqi-Goodman dhe drejtorin e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të Gjithë”, z. Nafi Krasniqi. Në një takim shumë miqësor dhe përmbajtësor u njoha hollësisht me angazhimin e tyre në shërbim të kauzës madhore të zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë dhe promovimin e vlerave dhe lirive themelore në përgjithësi. Pajtohem plotësisht me pikëpamjen e tyre Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike. Vendosja e drejtësisë së plotë dhe procesi i pajtimit të qëndrueshëm përbëjnë interes jetik për rajonin në tërësi. Puna në funksion të kësaj kauze na detyron të gjithëve së bashku në përgjithësi dhe secilin prej nesh në veçanti. Mbetem tejet i frymëzuar nga kurajo e tyre për të rrëfyer të vërtetën pavarësisht pasojave dhe për të punuar përmbajtësisht në shërbim të drejtësisë si faktor thelbësor i pajtimit”, ka shkruar ai në Facebook duke shtuar se “do ta mbështesë këtë kauzë në vazhdimësi dhe në mënyrë sistematike, sikundër Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pakursyer Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme