Arbëri

Welt: Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, lojëra rreth pushtetit, korrupsionit...

Descriptive Text

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme të zgjedhjeve në Kosovë është pjesë e lojës politike prapa shpinës së qytetarëve, shkruan të enjten gazeta gjermane Welt.

Kosova ka arritur përparim ekonomik, por vendi ka hyrë në krizë politike, me çka rrezikohen të arriturat e deritanishme.

“Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi ka shpërndarë parlamentin dhe ka hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Duket si një procedurë normale politike. Por, prapa kësaj janë lojërat rreth pushtetit, korrupsionit dhe mbrojtjes së kriminelëve të luftës”, vlerëson gazeta gjermane.

Gazeta shkruan se viktimë e të gjitha këtyre ishte “kryeministri i suksesshëm Isa Mustafa, ekonomist dhe ministër me përvojë i bujqësisë dhe ekonomisë, i cili ishte edhe kryetar i Prishtinës”, transmeton kp.

Welt shkruan se PDK është parti e fortë dhe ka dalë nga lufta e UÇK-së, dhe se presidenti i tanishëm Hashim Thaçi ka qenë kryetar për një kohë të gjatë i kësaj partie. Në tekstin e gazetës thuhet se Specialja është duke bërë hetime kundër personave të ndryshëm nga PDK dhe se kjo parti në rast fitoreje do të mund të dalë në mbrojtje të këtyre njerëzve.

“Duket se ky ishte kalkulimi kur PDK po ashtu votoi për rrëzimin e qeverisë së saj. Por, këto lojëra politike luhen prapa shpinës së qytetarëve, të cilët kanë mund t’i gëzohen përmirësimeve të caktuara të situatës ekonomike qëkur Mustafa në vitin 2014 u bë kryeministër”, shkruan Welt.