Arbëri

Dy vjet diplomaci defensive

Beogradi zyrtar ka prezantuar një dokument të hënën, në bazë të të cilit Gana është shteti i radhës që e ka revokuar vendimin për t’ia njohur Kosovës pavarësinë e shpallur në 2008-n. E ka kualifikuar si triumf të radhës në ofensivën diplomatike për ta dëmtuar ndërkombëtarisht fqinjin që e konsideron krahinë të veten.

Qeveria në largim e Kosovës, e cila gjatë dy vjetëve e gjysmë të mandatit ka aplikuar diplomaci defensive, e ka mohuar edhe këtë informatë.

Por, në qeverinë serbe kanë thënë se Gana është shteti i tretë që ka revokuar këtë vit njohjen, pas fqinjit të saj, Togos, si dhe Afrikës Qendrore, si dhe i 16-ti gjithsej, pasi konsideron se 13 shtete vepruan njëjtë vitin e shkuar.

Informatën nuk e kanë konfirmuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti afrikan, së cilës gazeta gjatë ditës i ka adresuar pyetje përkitazi me lajmin e publikuar nga Daçiqi.

Në janar të vitit 2012,Gana e ka marrë vendimin për ta njohur Kosovën shtet. Ndërkohë janë vënë edhe marrëdhëniet diplomatike. Vitin e shkuar presidenti Hashim Thaçi pranoi letrat kredenciale nga Selma Frences Mancell, e cila është ambasadore jorezidente e Ganës në Kosovë, e vendosur në Turqi.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës e kanë cilësuar të rremë lajmin e prezantuar nga Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)