Arbëri

Urdhërarresti për Agim Kajmakun, ish-kryebashkiakun socialist të Vorës

Prokuroria pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, ka shpallur në kërkim me masë sigurimi “arrest me burg”, Agim Kajmakun.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës, masa “Arrest me Burg” për Kajmakun vjen në lidhje me hetimin që po zhvillohet në ngarkim ish-Kryetari të Bashkisë së Vorës, të dyshuar për kryerjen e veprave penale, të “Shpërdorimit të detyrës”, “‘Falsifikimi i formularëve” dhe ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, parashikuar nga nenet 248, 190 dhe 249 te Kodit Penal. Kjo mase sigurimi është dërguar për ekzekutim në polici.

Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i bashkisë Vorë më 30 qershor por pas denoncimit nga PD se kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit nisën edhe hetimet nga prokuroria, e cila i dha të drejtë opozitës. Kajmaku kishte fshehur një dënim në Greqi ku figuronte me emër tjetër. Më 1 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shkarkojë nga detyra Kajmakun, në mënyrë unanime me 5 vota pro.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga opozita se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Fillimisht, Agim Kajmaku i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj./atsh