Shpërfillja e ankesave anonime ndaj gjyqtarëve e prokurorëve ngjall reagime nga shoqëria civile

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 10 November 2019 19:16

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në janar të këtij viti, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, kanë pasur për detyrë të nxjerrin rregulloret për zbatimin e tij.

Në maj të këtij viti, KGJK-ja ka miratuar atë për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve, një nen i së cilës po kontestohet nga njohës të legjislacionit në drejtësi, raporton KTV.

Neni 7 parasheh dy rrethanat kur ankesat ndaj gjyqtarëve mund të hidhen: njëra është nëse shkelja është parashkruar, e tjetra nëse ankesa është bërë në mënyrë anonime.

Por, sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, një veprim i tillë tejkalon edhe Ligjin, i cili nuk parasheh anonimitetin si rrethanë për hedhjen e ankesave.

Këshillin Gjyqësor, në një përgjigje me shkrim për televizionin, ka theksuar se ende është duke e analizuar zbatimin në praktikë të ligjit dhe rregullores.

E në një sqarim për nenin 7, ka shtuar se pavarësisht hedhjes së ankesës anonime, autoriteti kompetent, në rast se e sheh që përmbajtja e ankesës është serioze, mund të nisë hetim preliminar në bazë të detyrës zyrtare, e, varësisht nga gjetjet, të kërkojë nisjen e hetimit disiplinor.

“Për sqarim të nenit 7, paragrafi 2 i Rregullores së lartcekur, autoriteti kompetent, pasi ta hedhë ankesën anonime, kur e vëren se ankesa është serioze përkundër që është anonime dhe e hedh, nuk e ka të ndaluar me ligj që ex officio, të bëjë një hetim preliminar dhe varësisht prej hetimit, mund të kërkojë nga KGJK-ja fillimin e hetimit disiplinor”.

Në përgjigje theksohet se nga 93 ankesa të pranuara, kryetarët e gjykatave kanë refuzuar 50 ankesa si të pabazuara, por pa saktësuar arsyet se pse të njëjtat janë hedhur.

Këshilli, nga 8 kërkesa për nisje të hetimeve disiplinore, për 8 prej tyre ka themeluar panele hetimore, derisa për dy raste të tjera ka suspenduar procedurën disiplinore.

Dy prej paneleve hetimore kanë dorëzuar në Këshill raportet e tyre dhe pritet që vendimet të bëhen publike.

Një rregullore me dispozitën e njëjtë e ka nxjerrë edhe Këshilli Prokurorial, në muajin qershor të këtij viti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme