Përkujtohen 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë

Mbahet ceremonia e përkujtimit të 14 ushtarëve britanik që ranë në Kosovë

10 November 2019 08:00
12:22

Kurora lulesh u vendosën sot pranë murit që mban emrat e ushtarëve të rënë që i shërbyen paqes në Kosovë. Organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e ditës së përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, për të kujtuar 14 anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-së në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se sot po kujtojnë të gjithë ata që kanë vdekur në zona të konflikteve që nga lufta e parë botërore.

“Sot është momenti ynë në fokus për të kujtuar ata që kanë vdekur në konflikte nga lufta e parë botërore. Është koha për të kujtuar aleatët tanë, si dhe në radhë të parë t’iu falënderoj që jeni këtu. Shpresoj se mund të jetë një moment për të kujtuar se armiqtë mund të bëhen miq, aleat dhe partnerë në të ardhmen. Prandaj, faleminderit që jeni këtu”, ka thënë Abbott.

Ambasadori britanik dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, u rreshtuan bashkë me disa ushtarë britanik për t’i kujtuar ushtarakët që vdiqën në Kosovë.

Në këtë ceremoni nderimi për 14 të rënët, u thanë edhe lutje nga prifti Fatmir Koliqi. Pjesë e ceremonisë ishin edhe përfaqësues të ambasadave tjera të huaja në Kosovë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, dhe përfaqësues të partive politike, si Glauk Konjufca nga LVV dhe Bajram Gecaj nga LDK.

Shërbimi i Përkujtimeve mbahet çdo vit në të dielën më të afërt me 11 nëntorin, dita kur armët u heshtën në fund të Luftës së Parë Botërore./KsP/

11:47

Thaçi e Haradinaj kujtojnë 14 ushtarët britanikë të rënë duke i shërbyer paqes në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të ceremonisë së Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se sot nderojmë sakrificën e 14 ushtarëve britanikë, të cilët ranë në krye të detyrës, duke i shërbyer paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

“Nderim i përjetshëm për rreth 200 gra e burra që humbën jetën si pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë. Në kuadër të ceremonisë së Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, sot nderojmë sakrificën e 14 ushtarëve britanikë, të cilët ranë në krye të detyrës, duke i shërbyer paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ata që me sakrificën e tyre ndërtuan paqen dhe humbën jetën në vendin tonë, nuk janë vetëm heronj të KFOR-it dhe shteteve anëtare të NATO-s, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se sot me respektin e përjetshëm, përkujtohen 14-të anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike, që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se liria e popullit tonë, është ndërtuar në themelet e sakrificës dhe flijimit.

“Në këtë rrugëtim, miqtë dhe aleatët tanë ishin përkrah nesh. Kosova përherë do të nderoj sakrificën deri në flijim, për liri e demokraci”, ka shkruar ai.

08:00

Përkujtohen 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë

Ambasada Britanike në Prishtinë, sot organizon ceremoninë e ditës së përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar.

Pranë memorialit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, do të përkujtojmë 14 anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR).

Shërbimi i Përkujtimeve mbahet çdo vit në të dielën më të afërt me 11 nëntorin, dita kur armët u heshtën në fund të Luftës së Parë Botërore.

Shërbimi përkujton të gjithë ata që dhanë jetën në luftëra dhe konflikte të armatosura.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme