Nuk ka ligj që ish-agjentit të BIA-së ia ndalon ushtrimin e mandatit të deputetit

Nuk ka ligj që ish-agjentit të BIA-së ia ndalon ushtrimin e mandatit të deputetit

Saranda Ramaj Saranda Ramaj 09 November 2019 08:04

Një ulëse në Kuvendin e Kosovës për mandat katërvjeçar do ta ketë edhe Branislav Nikoliq, i cili në media është raportuar si ish-agjent i BIA-së dhe i cili deri në qershor të këtij viti ka shërbyer si këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Është shkarkuar nga kjo detyrë pas dyshimeve që e lidhnin atë me shërbimin sekret serb, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithëkëtë, moscertifikimi i tij në postin e deputetit ligjërisht është i pamundur. Kjo për shkak të një vendimi të Gjykatës Supreme, e cila në zgjedhjet e vitit 2017 ka konsideruar se decertifikimi i kandidatëve të dënuar me vendim të formës së prerë nuk mund të bëhet nëse gjykata, kur e ka dënuar personin në fjalë, nuk ka shqiptuar dënim plotësues, përmes të cilit ia ndalon ushtrimin e pozitës.

Gazeta nuk ka arritur të bisedojë për këtë çështje me Nikoliqin.

Edhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë thënë se nuk ka asnjë mundësi ligjore që Nikoliq ta humbë ulësen e fituar në Parlament.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, i ka thënë gazetës se decertifikimi pa vendim ndalues të gjykatës për ushtrim pozite nuk ka bazë ligjore dhe është antikushtetues.

“Nuk ka ndryshuar asgjë në legjislacion. Pa vendos gjykata dënim plotësues, përmes të cilit dikujt ia ndalon ushtrimin e ndonjë pozite, asnjë institucion tjetër nuk mund ta bëjë atë”, ka thënë Peci.

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se nuk mund të largohet Nikoliq nga deputeti, përderisa nuk ka vendim të gjykatës kundër tij.

“Sipas praktikës së ndërtuar nga Gjykata Supreme e Kosovës në vitin 2017 një gjë e tillë nuk mund të ndodhë”, ka deklaruar Miftaraj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme