Mustafa: Kthimi i shtetasve nga Siria tregon përgjegjshmërinë e shtetit të Kosovës

Mustafa: Kthimi i shtetasve nga Siria tregon përgjegjshmërinë e shtetit të Kosovës

08 November 2019 10:51

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa mori pjesë në ministerialin e Salzburgut, i cili po zhvillohet në Vjenë të Austrisë. Në ministerial përfaqësohen vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, mes tyre Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në këtë forum u diskutuan çështja e migrimit të paligjshëm, kontrolli kufitar, lufta kundër kontrabandimit me migrantë dhe çështjet e tjera të sigurisë.

Në këtë takim i cili po udhëhiqet nga ministri i Brendshëm i Austrisë, Ëolfgang Peschorn, ministri Mustafa theksoi nevojën e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të origjinës së migrantëve, si dhe në nivel të Bashkimit Evropian.

Mustafa njoftoi shtetet pjesëmarrëse me veprimet që janë ndërmarrë në menaxhimin e fluksit të migrantëve, si dhe veprimet e policisë në luftimin e kontrabandimit me migrantë.

Gjatë konferencës Mustafa u përball disa herë me përfaqësuesen serbe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila u mundua të paraqesë fëmijët kosovarë të kthyer së fundmi nga Siria si terroristë dhe të rrezikshëm për rajonin e Evropën.

“Mustafa kërkoi nga përfaqësuesja serbe që të përmbahet nga deklarata të pavërteta, që nxisin urrejtje dhe të mos përzihet në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Përfaqësuesja serbe mbeti e vetmuar në përpjekjet e saja të dështuara për shfaqur të pavërteta të tjera, pasi që nuk iu dha më fjala dhe nuk mori asnjë përkrahje nga të pranishmit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mustafa i njoftoi të pranishmit se kthimi i 110 shtetasve nga Siria, prej tyre 74 fëmijë dhe 32 gra, ka vendosur një standard të ri dhe me këtë Republika e Kosovës ka treguar përkushtim e saj në marrjen e përgjegjësive shtetërore.

Ai gjithashtu theksoi se për këtë operacion Republika e Kosovës është vlerësuar lartë nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare.

Forumi i Salzburgut është një partneritet i Sigurisë së Evropës Qendrore të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në këtë Forum, shtetet anëtare bashkëpunojnë në fushat e bashkëpunimit policor, migracionit të paligjshëm, mbrojtjen e dëshmitarëve, luftën kundër drogës, sigurinë në trafik dhe fusha të tjera të sigurisë së brendshme. Ata gjithashtu përqendrohen në koordinimin e pozicioneve dhe avancimin e interesave të përbashkëta në Bashkimin Evropian në fushën e sigurisë së brendshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme