Arbëri

Serbia planifikon rritjen e shpenzimeve buxhetore për Kosovën

Descriptive Text

Në vitin 2020, Serbia planifikon të dërgojë në Kosovë rreth 89 milionë euro të parave të taksapaguesve të saj. Kjo parashikohet në projektligjin për buxhet, të cilin Qeveria e ka dërguar për shqyrtim në Parlamentin e Serbisë.

Rreth 63.7 milionë euro janë planifikuar për Zyrën për Kosovën të Qeverisë serbe, dhe pjesa më e madhe e fondeve do të shpenzohen për "mbështetjen e funksionimit të institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës”.

Fjala është para së gjithash për strukturat paralele apo “organet e përkohshme” të shtetit serb në Kosovë, të cilat Kosova nuk i njeh dhe të njëjtat, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, duhej të integroheshin në institucionet e Kosovës.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën do të marrë rreth 6.5 milionë euro më shumë në vitin 2020 sesa këtë vit.

Për anëtarin e Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, nga Partia Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Çotriq, kjo shumë është e justifikueshme.

"Sipas Kushtetutës së Serbisë dhe ligjeve pozitive, Kosova është pjesë e Serbisë dhe këtu buron nevoja për të ndarë buxhet për atë pjesë të Serbisë. Për më tepër, autoritetet e Kosovës vendosën taksa shumë të larta për mallrat nga Serbia qendrore, të cilat goditën shumë popullsinë serbe që jeton në Kosovë. Faktori i tretë është nevoja për të mbajtur popullsinë serbe në Kosovë me këto fonde shtesë buxhetore, pasi ata jetojnë në kushte shumë të vështira, jo vetëm politike, por edhe ekonomike, dhe dihet se një numër njerëzish marrin paga nga buxheti i Serbisë, dhe kjo është një mënyrë që ata të qëndrojnë në vendet e tyre", thotë Çotriq.

“Pezullimi i Marrëveshjes së Brukselit“

Brenda shumës së përgjithshme prej rreth 63.7 milionë eurosh, e cila do të jetë në dispozicion të Zyrës për Kosovën, janë planifikuar 21.6 milion euro për "përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës serbe dhe joshqiptare në Kosovë", shumica e të cilave janë ndarë për ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve të banimit. Më shumë se kaq, rreth 36.7 milionë do të shpenzohen për "mbështetjen e funksionimit dhe përmirësimit e kapaciteteve administrative lokale".

“Problemi është i një natyre politike, sepse kur në strukturën e buxhetit vini te pika - forcimi i kapaciteteve administrative lokale – ju e shihni se Serbia në të vërtetë ka pezulluar një pjesë të Marrëveshjes së Brukselit që quhet “Integrimi i qeverisjes vendore në sistemin e Kosovës”. Në ato struktura komunale që zgjidhen përmes zgjedhjeve në Kosovë, ju keni paralelisht, udhëheqjet komunale, përbërjen e asambleve komunale të ngritura nga Beogradi”, thotë Dushan Janjiq, nga Organizata Joqeveritare, Forumi për Marrëdhënie Etnike.

Ndarja e mjeteve për Kosovën

Mjetet që do të shkojnë në Kosovë, nuk përfundojnë në Zyrën e Qeverisë së Kosovës. Në projekt-buxhetin për vitin 2020, mjetet që ndërlidhen me Kosovën mund të gjenden brenda linjave buxhetore të ministrive të ndryshme, kabineteve, rretheve administrative, administratës për bashkëpunim me kishat dhe bashkësitë fetare e të tjera.

“Ka pasur shumë në periudhën e kaluar që e kanë paguar shtrenjtë patriotizmin e tyre. Kjo nuk është aspak një praktikë e mirë dhe duhet të ndalet, dhe mënyra më e mirë është përmes transparencës. Kështu që, secila linjë buxhetore duhet të jetë transparente, duke identifikuar qartë çdo shpenzim dhe qëllimin e atyre fondeve që u janë ndarë serbëve në Kosovë", thekson Dragan Dobrasinoviq, nga Koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Në kuadër të Ministrisë së Arsimit, për “mbështetje të mësimdhënies“ në shkollat fillore dhe të mesme janë planifikuar rreth 680.000 euro, ndërsa për “Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë“, Serbia ka ndarë rreth 23.2 milionë euro.

Rreth 394.000 euro janë ndarë për "Rrethet Administrative në Kosovë”, të krijuara me qëllim të kryerjes së veprimtarive të administratës shtetërore, jashtë selisë së këtyre organeve.

Si pjesë e fondeve të caktuara për kabinetin e ministrit pa portofol, përgjegjës për inovacionin dhe zhvillimin teknologjik (Nenad Popoviq), 237,000 euro do të shpenzohen për "mbështetjen e promovimit e inovacionit" në Kosovë.

Ministria e Kulturës dhe Informacionit do të ndajë 78,6 mijë euro për "mbështetjen e informimit të qytetarëve në gjuhën serbe".

Drejtoria për Bashkëpunim me Kishat dhe Komunitetet Fetare parasheh 538,000 euro për "mbështetjen e klerit dhe manastireve në Kosovë".

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.