Arbëri

Thaçi: Nuk ka gjykatë që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim

Foto: Koha

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës Speciale ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Veseli ashtu si edhe dhjetëra luftëtarë të UÇK-së të ftuar nga Specialja, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak.

Ai thotë se pa ka pasur nderin që për lirin e Kosovës, nga fillimi të rrugëtoj me Veselin, duke shtuar se në çdo hap është ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij tash e tri dekada.

Ai thotë se nuk ka gjykatë, tendencë e as fabrikim që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim.

“Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin”, ka shkruar ai.

“Fatin e viteve të gjata të robërisë dhe sundimit të popullit të Kosovës nga Serbia e ka ndryshuar përgjithmonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe angazhimi i të rinjve e të rejave që iu bashkëngjitën UÇK-së në luftë për liri dhe pavarësi. Lufta jonë për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij”, ka shkruar Thaçi tutje.

Lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale ndaj Veselit ka reaguar edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas tij, thirrja nga Specialja është vetëm një betejë e fundit e padrejtë për t’i shërbyer Kosovës dhe luftës së pastër të UÇK-së.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova dhe djemtë e saj do të dalin faqebardhë sepse krime ka kryer vetëm Serbia, dhe agresion kanë ushtruar forcat ushtarake dhe paramilitare serbe

“Kadri Veselin e njoh mbi 30 vite. Ai është i njëjti edhe sot, si dikur - ushtar i vendit të vet, i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës. Veprimi prej burrështetasi sot, flet për Kadriun që e njohim të gjithë, i matur dhe i vetëdijshëm se fati i Kosovës është para atij personal. Ne në PDK, jemi krenarë dhe besimplotë se sikur në luftë, edhe në paqe, dijmë t’i dalim zot Kosovës”, ka shkruar ai.

Image