Arbëri

Autoriteti i Aviacionit Civil paralajmëron masa kundër futjes së narkotikëve përmes vijës ajrore

Descriptive Text

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, ka shprehur gatishmërinë që ta mbështesë fushatën kundër dukurive negative tek të rinjtë, përkatësisht shpërndarjen e drogave.

Sipas një komunikate për media, ky dakordim është arritur nga shefi i Task Forcës Anti-Drogë dhe Siguri në Shkolla, Avdullah Hasani, dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Civil, Eset Berisha.

Gjatë takimit është diskutuar për parandalimin e trafikimit të narkotikëve përmes hapësirës ajrore në Kosovë dhe aktivitete të tjera lidhur me parandalimin e shpërndarjes dhe konsumimit të narkotikëve në Kosovë.

Shefi i Task Forcës, Avdullah Hasani është shprehur se Agjencia e Aviacionit Civil ka një rol të rëndësishëm në luftën shtetërore kundër kësaj dukurie.

Ndërsa drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha shprehu gatishmërinë e autoritetit që drejton që të mbështetë fushatën kundër dukurive negative tek të rinjtë.