Arbëri

Monitorim pa veprim

Descriptive Text

Rënia e temperaturave ka rikthyer edhe rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Kosovë. Shpërfillja e çështjes së ndotjes së ajrit nga institucionet vihet në pah edhe këtë vit nga statistikat alarmuese të kualitetit të ajrit. Ato shfaqin nivel shumë shqetësues të ndotjes, veçanërisht në zona urbane si Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi e Mitrovica. Indeksi i cilësisë së ajrit, i matur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, gjatë kësaj jave, ishte në nivelin “i pashëndetshëm”.

Vendosja në kryeqytet e katër monitorëve, ku qytetarët mund ta shohin nivelin e ndotjes së ajrit, ka nxitur reagime javën e kaluar. Këta monitorë të instaluar në katër lokacione të ndryshme janë pjesë e projektit të bashkëpunimit teknik të JICA-s, “Projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, në vlerë 4 milionë euro, shkruan Koha Ditore.

Qytetarët kanë mirëpritur monitorët, por kanë kërkuar edhe masa konkrete për uljen e ndotjes. “Më mirë do të ishte të krijoheshin hapësira të gjelbra, të ketë kujdes nga gazrat që lëshojnë kerret e nga Obiliqi, por i qesin do sene vetëm sa për të mashtruar popullin, sepse kjo asgjë nuk do të thotë. Vetëm e sheh ndotjen, e pluhuri e bën punën e vet”, ka thënë një qytetar i Prishtinës për KTV-në.

Edhe ekspertët e çështjeve mjedisore kanë vlerësuar se koncentrimi i madh i aktiviteteve vetëm në monitorim dhe raportim pa aktivitet reagimi nuk jep efekt. Themelimi i task-forcave nga ana e Qeverisë për trajtimin e çështjes së ajrit të ndotur, sipas tyre, nuk prodhuan rezultate të prekshme përveç zhurmës mediale, arsyetimit të dështimeve dhe shpenzimit buxhetor.

Një pjesë të barrës së fajit për mosveprim në këtë drejtim ua hedhin edhe inspektorëve mjedisorë dhe gjykatave të cilat, sipas tyre, janë shumë inerte dhe të pafuqishme sidomos ndaj ndotësve të mëdhenj, siç janë: KEKu, “Ferronikeli”, “SharrCemi”, etj. Shkaku i mosveprimit, qytetarë të shumtë të vendit pësojnë nga ajri i kontaminuar. Kontribuuesit kryesorë të ndotjes, sipas Arif Krasniqit, kryetar të Partisë Ekologjike, janë termoelektranat në Kastriot, veturat e shumta që qarkullojnë në kryeqytet të cilat kanë vjetërsi bukur të madhe, si dhe ngrohja e objekteve arsimore dhe shtëpitë, të cilat të vetmin burim ngrohjeje kanë drutë dhe thëngjillin e cilësisë bukur të dobët. Ai ka thënë se qytetarët më shumë thithin pluhur se ajër në organizmin e tyre.

“Ky është një tmerr dhe është një krim ekologjik i llojit të vet. Përkundër të gjitha këtyre reagimeve, si të Eko Lëvizjes po ashtu edhe e qytetarëve dhe OJQ-ve mjedisore e Shoqërisë civile, aspak nuk janë marrë masa, madje këtyre ditëve ndotja e ajrit është më e madhe se gjetiu. Unë mendoj se pavarësisht Qeverisë në ikje, kjo papërgjegjësi nuk do të duhet të ndodhë”, ka theksuar ai.

Termocentralet, kampione të ndotjes

Kosova zë vendin e pestë në botë për kah rezervat e linjitit. Por bazimi i saj në qymyr për prodhimin e energjisë elektrike ka dhënë efekte negative. Sipas analizave vendore dhe ndërkombëtare, burimi kryesor i ndotjes në Kosovës është Korporata Energjetike e Kosovës me dy termocentralet e saj me thëngjill që ndodhen në Obiliq dhe që janë aktive gjatë gjithë vitit. Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) në një analizë të tij, tregon se këto termocentrale kontribuojnë vazhdimisht në ekspozimin e popullsisë ndaj CO2, SO2, NO2, O3, PB (plumbit), pluhurit, tymit, diovinave dhe PM.

Ndotja e shkaktuar nga këto termocentrale prek një hapësirë të gjerë. Përveç Obiliqit, nga to pësojnë edhe Prishtina e Fushë-Kosova. Më 2 shtator të këtij viti, një tym i zi doli nga një nga oxhaqet e termocentralit të KEK-ut, duke shpërndarë një re të hollë njëtrajtshëm sipër qytetit kishte shqetësuar qytetarë të shumtë. E ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kishte sqaruar se bëhet fjalë për pastrim të kazanit të bllokut A3, i cili për 4 muaj kishte qenë në remont dhe pas përfundimit të remontit dhe para fillimit të punës duhet të bëhet pastrimi, i cili siç ka thënë zgjat për 4 ditë me rreth 3 orë ditë. “Është proces i pashmangshëm për teknologjinë e vjetërsuar të këtij termocentrali”, kishte thënë Lluka.

Oxhaqet e termocentralit “Kosova A” kanë nisur të tymosin që në vitin 1962, kur është ngritur blloku i parë nga pesë sish sa ka ai, tre prej të cilëve janë jashtë funksionit. Pas një presioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund ndotjes enorme të këtij dinozauri, autoritetet kishin dhënë zotimin për ta mbyllur atë më së largu në 2017-n. Kjo s’është bërë, shkaku i hendekut midis kërkesës për energji elektrike dhe asaj që prodhohet. Prandaj, mbyllja e tij tani lidhet me kohën kur të nisë punën “Kosova e Re”, një termocentral që ende është në pikëpyetje nëse do të bëhet. Kjo pasi dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se projekti për “Kosovën e Re” nuk do të realizohet në bazë të marrëveshjes të nënshkruar nga Qeveria Haradinaj.

Ndërkohë, në ditën kur është shpërndarë Kuvendi është miratuar marrëveshja për fondet e IPA-së, me të cilën parashihet përkrahja e projektit të KEK-ut në vlerë prej 76 milionë eurosh për zëvendësimin e elektrofiltrave për termocentralin “Kosova B”. Megjithatë, implementimi i këtij projekti pritet të fillojë tek pas 6 muajve, ka thënë drejtori i këtij termocentrali, Luigj Imeri.

Sipas tij, gjatë dhjetë vjetëve të fundit KEK-u ka investuar rreth 60 milionë euro për avancimin e mjedisit jetësor përmes zëvendësimit të elektrofiltrave në dy termocentralet tashmë të vjetruara, “Kosova A” dhe “Kosova B”, që prodhojnë gati 98 për qind të energjisë së prodhuar në Kosovë.

Në këtë mënyrë me arnime të shpeshta mbahet gjallë termocentrali i vjetër, i cili, krahas dritave, Kosovës i ka dhënë edhe një rekord të zi. Organizata jofitimprurëse Health and Environment Alliance (HEAL), e cila preokupim kryesor ka ndikimin e mjedisit në shëndet, dy vjet më parë ka nxjerrë raportin: “Fatura e papaguar shëndetësore – Si na sëmurin neve termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor”. Aty flitet për ndotjen që vjen nga termocentralet në Kosovë.

“Ndotësit e emetuar, më të dëmshmit për shëndetin, janë grimcat PM2.5. ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ janë emetuesit më të mëdhenj në Evropë me një total prej 7.500 tonësh PM2.5 në vit. Këto njësi emetojnë katër herë më shumë PM2.5, sesa shumica e termocentraleve me qymyr në Ballkan dhe rekordin e emetimeve e mban njësia 5 e termocentralit ‘Kosova A’ që emeton nëntë herë më shumë PM2.5, sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit”, thuhet në raport. “Termocentrali ‘Kosova B’ është një prej emetuesve më të mëdhenj të gazeve NOx në Ballkan, me 14.520 tonë në vit. Termocentrali emeton tri herë më shumë NOx, sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit”.

Industritë, kontribuuese të mëdha të ndotjes

Sipas një hulumtimi të bërë nga Banka Botërore, edhe popullsia e zonës së Mitrovicës i ekspozohen pluhurit me përmbajtje të plumbit, prodhimeve lokale me nivele të larta të plumbit dhe ekspozimeve të tjera. Shkaku i kësaj, rreth 25 për qind e fëmijëve në Mitrovicë në vitin 2002 kishin nivele të plumbit në gjak mbi pragun prej 10 mikrogramë për decilitër.

Përpos Mitrovicës dhe Zveçanit, problemet mjedisore, që për burim e kanë “Trepçën”, e prekin edhe Leposaviqin. Ndërkohë, një kodër e madhe me ngjyrë të zezë me mbetje të zinkut dhe hekurit, është në periferi të Drenasit, fare afër kompleksit metalurgjik “Ferronikeli”. Sipas të dhënave të AMMK-së, deponia ka sipërfaqe rreth 24 hektarë, kurse sipërfaqja e ndikimit është dyfish më e madhe. Një erë e lehtë e merr me vete pluhurin sipërfaqësor dhe grimcave të imta që fluturojnë u jep shkëlqim dielli.

Disa studime thonë se ato përbëjnë metale të rënda dhe janë të dëmshme për shëndetin, në rast se përthithen nga organizmi. Përpos që merren nëpërmjet frymëmarrjes, në organizëm ato hyjnë edhe nëpërmjet ujit apo ushqimit, meqë gjatë reshjeve atmosferike uji që kalon nëpër skore lidhet direkt me vegjetacionin dhe me migrim më të thellë, edhe me ujërat e puseve që banorët i shfrytëzojnë për pije e ujitje. Ndotës më i madh në Komunën e Hanit të Elezit llogaritet të jetë “SharrCem”.

Sipas kryetarit të Partisë Ekologjike, Arif Krasniqi, Mitrovica derisa ishin në funksion industritë e kësaj komune dhe kombinatit “Trepça” me njësitë e tjera ka qenë Komuna më e ndotur pas Prishtinës. Por kjo, sipas tij, tani ka ndryshuar. Tani ndotja, sipas tij, vjen nga mbeturinat e xeheve të deponuara me vite nga ato lirohen materie, të cilat hedhen nga erërat e fuqishme në ajër, por edhe janë shkaktar të një rrezatimi të vazhdueshëm me të cilën përballen qytetarët e Mitrovicës.

Sa i përket Hanit të Elezit, sipas Krasniqit, ndotja e ajrit kryesisht ndodh nga Fabrika për prodhimin e çimentos - Sharr Cem, i cili vazhdon të jetë ndotës bukur i madh, edhe pse ka tendencë përmirësimi me filterë cilësor, por kjo vazhdimisht do të jetë problem numër një për ndotjen e ajrit.

Edhe komunat e tjera, sipas Krasniqit, përballen me ndotje të ajrit që vjen nga gurëthyesit, që janë në numër të madh dhe përveç që shkaktojnë ndotje të ajrit ndotin edhe me zhurmë. “Ky fenomen është prezent gati në çdo cep të Kosovës. Puna e tyre, në të shumtën e rasteve, zhvillohet në mënyrë ilegale, pa leje adekuate, andaj edhe nuk ju përmbahen rregullave adekuate për këtë afarizëm. Mungojnë kontrollet adekuate dhe ndërmarrja e masave të tjera”, ka pohuar Krasniqi.

Sipas MMPH-së, gjatë periudhës janar-shtator 2019, nuk ka pasur tejkalime të vlerave mesatare mujore për asnjë parametër, me përjashtim të tejkalimeve të regjistruara për ozon, gjatë muajit gusht dhe shtator. Por vlera e ndotjes është rritur në muajin tetor.

“Gjatë muajit tetor 2019, janë regjistruar tejkalime të vlerave ditore kryesisht për parametrat PM10 dhe PM 2.5 edhe atë me datën 27 dhe 28 tetor, në stacionet monitoruese në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Drenas dhe Prizren. Për parametrin PM10 janë regjistruar tejkalime të mesatareve ditore edhe në stacionet matëse në Obiliq me datën 20 dhe 21 tetor, ndërsa për parametrin PM2.5 tejkalime janë regjistruar në stacionin e Obiliqit me datat 19,20 dhe 21, në Dardhishte me datat 19,20,21 dhe 22, ndërsa në stacionin matës në Palaj me datën 22”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ajri i kontaminuar rrezikon shëndetin

Emërues i përbashkët i të gjithë ndotësve industrialë është rrezikimi i shëndetit të popullatës së ekspozuar ndaj tyre. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë thënë për gazetën që pasojat shëndetësore varen nga lloji i ndotësit, doza e tij, kohëzgjatja e ekspozimit dhe nga rruga e depërtimit të tyre në organizëm – ajri, uji, ushqimi. Kategoritë më të ndjeshme, sipas Institutit, janë të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë, shtatzënat, të varfrit dhe personat me imunitet të komprimituar.

Në këtë institut nuk kanë të dhëna as mbi vdekshmërinë si pasojë e ndotjes. Doktoresha Antigona Ukëhaxhaj, specialiste e Shëndetit Publik, e cila punon në këtë institut, ka thënë se efektet afatshkurtra të aerondotjes nga partikulat, sipas shumë të dhënave, na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkit kronik, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritje të numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtim të jetës dhe rritje të shkallës së mortalitetit.

Sa i përket asaj se cilët banorë janë të ekspozuar deri më tani, komunat me situatën më të përkeqësuar sipas matjeve të bëra nga Instituti Hidrometeorologjik kanë qenë: Prishtina, Obiliqi, Drenasi, Fushë-Kosova dhe Gjilani.

Ukëhaxhaj ka treguar se në periudhën e sezonit të dimrit është evident numri i shtuar i pacientëve në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar dhe në spitalet regjionale, si dhe shtimi i numrit të vizitave në qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna, me theks të veçantë në ato që kanë cilësinë e ajrit më të keqe.

Ndërkohë, pulmologu në Klinikën e Mushkërive në QKUK, Skënder Baca, ka thënë se numri i të prekurve nga sëmundjet e mushkërive është rritur pikërisht për shkak të ambientit të ndotur. Sipas tij, në botë nga kjo sëmundje vetëm brenda vitit vdesin 3 milionë njerëz, ndërsa në Kosovë ky numër shkon deri në 200 pacientë.

Një raport i Bankës Botërore i bazuar mbi një hulumtim substancial shkencor që demonstron ndikimet në shëndetin publik nga ndotja e ajrit dhe në veçanti nga grimcat PM, të cilat janë në mesin e shkaktarëve të sëmundjeve kronike respiratore (astma, sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive dhe ndryshimet kronike patologjike), kanceri i mushkërive, sëmundjet kronike kardiovaskulare dhe pengesat në rritjen intrauterine.

“Në bazë të koeficienteve ekspozi m/re a - gim, koncentrimet vjetore të PM në ajrin e ambientit, dhe të dhënat për popullsinë e ekspozuar, ndotja e ajrit në viset urbane në Kosovë llogaritet se shkakton 835 vdekje të parakohshme, 310 raste të reja të bronkitit kronik, 600 shtrirje në spital dhe 11.600 vizita në emergjencë”, thuhet në studim. “Këto raste të përllogaritura zakonisht janë më të larta sesa numri i pacientëve të regjistruar me sëmundje respiratore, pasi që nuk shkojnë të gjithë personat me simptoma respiratore te mjeku apo në spital”.

Kjo ka edhe një kosto të lartë ekonomike. Ajo shfaqet si rezultat i efekteve shëndetësore nga ndotja e ajrit dhe, sipas Bankës Botërore, në Kosovë ndryshon nga 37 në 158 milionë euro në vit.

Isme Humolli, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se ajri i kontaminuar afekton të gjitha regjionet e botës, fatkeqësisht më të prekurit janë popullata e vendeve me kushte social- ekonomike të ulëta.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 97 për qind e vendeve që për kushte social- ekonomike të ulëta dhe qytetet me popullatë më të lartë se 100 mijë banorë, fatkeqësisht nuk i plotësojnë kriteret e OBSH-së për ajër cilësor dhe karakterizohen me ajër të kontaminuar, në shtetet më të zhvilluara kjo përqindje bie në 49 për qind. “Sa i përket Kosovës, duhet të ballafaqohemi me faktin se kualiteti i jetës është përkeqësuar për shkak të degradimit kontinuel të përhershëm të mjedisit, pranisë së ndotësve industrialë, si dhe sistemit të dobët të menaxhimit të mbeturinave”, ka thënë Humolli.

Sipas saj, në Kosovë deri më sot problemet mjedisore nuk kanë qenë prioritet e krejt kjo, sepse ka pasur probleme të mëdha, si ekonomia, varfëria dhe papunësia. Duke mos u marrë me problemet e mjedisit, jetëgjatësia në Kosovë, sipas saj, është 11 vjet më e ulët sesa në vendet e tjera të Evropës.

Ndërkohë, Dafina Muçaj nga UNICEF-i tregon për ndikimin e ajrit të ndotur te rritja e fëmijëve dhe te zhvillimi i trurit. “Ajri i ndotur ndikon shumë te fëmijët për shkak se kanë periudhë të zhvillimit të shpejtë të trurit, po ashtu, konsumojnë më shumë ushqim, ujë dhe ajër për njësi të peshës trupore në krahasim me të rriturit. Çfarëdo ekspozimi i fëmijës në ambient të jashtëm ka ndikim marramendës në zhvillimin e trurit të fëmijës”, ka thënë ajo. Sipas saj, në Prishtinë lindjet ndodhin më shumë gjatë muajve kur ajri nuk është shumë i ndotur, por kjo tregon se shtatzënat janë të ekspozuara gjatë muajve të dimrit kur ajri është shumë i ndotur.

Ndotja nga ngrohja

Kontribuues në ndotje të ajrit është edhe ngrohja. Deri në vitin e shkuar, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u jepte secilit prej rreth 5 mijë punëtorëve të saj nga një kamion qymyr, që nxirret në mihjen nga ku furnizohen termocentralet, sasi të cilën shumë nga ta e shisnin. Por kjo është ndalur vitin e shkuar, pas një vendimi të Qeverisë. Megjithatë, gazeta ka raportuar për rihapjen e mihjes ilegale në Zhilivodë, fshat ky i Vushtrrisë në kufi me Obiliqin, ku prej dhjetëra vjetësh shumë banorë e sigurojnë jetesën nga qymyri që e nxjerrin nga nëntoka e pronave të tyre dhe pastaj e shesin. Mbi 200 mijë tonë thëngjill shfrytëzohen çdo vit për qëllime të tjera, përpos prodhimit të energjisë elektrike.

Një studim i Bankës Botërore thotë se ekonomitë familjare konsumojnë përafërsisht 48 për qind të të gjithë energjisë në Kosovë, dhe se 45 për qind e kësaj energjie të konsumuar vjen nga djegia e drurëve. E sipas një studimi tjetër, i realizuar nga Food And Agriculture Organization of the United Nations (FAO), ekonomitë familjare konsumojnë 2.054.420 metra kub dru në vit. FAO, gjithashtu, ka vlerësuar se konsumimi i druve nga sektori i turizmit, që nënkupton djegien e tyre nga restorantet, hotelet, furrat e bukës dhe fast-foodet, është 183.321 metra kub dru në vit.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në një studim të publikuar në qershorin e sivjetmë, ka shtruar nevojën që komunat të vendosin kontroll më të rreptë të ngrohjes së familjeve, duke vënë në punë më shumë inspektorë, duke ndaluar djegien e linjitit në stufa, duke gjobitur për djegien e qymyrit dhe mbeturinave, si dhe duke investuar në energji të ripërtërishme dhe sisteme të ngrohjes qendrore. Aty është përllogaritur edhe kostoja nga ndotja e ajrit, në të cilin kontribuojnë edhe djegia e druve dhe thëngjillit. “Në total, vdekjet e parakohshme dhe sëmundjet kronike të shkaktuara nga ndotja e qymyrit të Ballkanit Perëndimor iu kushtojnë të dy sistemeve, si shëndetësor, ashtu edhe ekonomik, diku mes 6.1 dhe 11.5 miliardë euro”, thuhet në studim. “Në Kosovë, kostoja e efekteve shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit në zonat urbane ka ndikim që mendohet se varion nga 37 në 158 milionë euro në vit, e barabartë me 0.89 deri në 3.76 për qind të GDP-së së vendit”, thuhet në studim.

Mbështetur në analizën e të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në Prishtinë ajri është “i pashëndetshëm” në 50 për qind të kohës, “shumë i pashëndetshëm” në 20 për qind të kohës dhe “i rrezikshëm” në 5 për qind të kohës.

E Banka Botërore në një studim të saj, si burim të dytë të shkallës së ndotjes ka listuar drurin dhe linjitin që përdoren për ngrohje të shtëpive. E ka renditur atë, menjëherë pas termocentraleve. Aty ka argumentuar se “gjatë dimrit, nivelet e PM10 dhe PM2.5 (grimca të dëmshme që krijohen nga procesi i djegies v.j.) janë shumë më të larta, sesa në periudhat e tjera të vitit”.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga Komuna e Prishtinës, ajo mat ajrin në gjashtë lagje të ndryshme: “Bregu i Diellit”, “Dodona”, “Dardania”, “Ulpiana”, “Qendra (te sheshi)” dhe “Kodra e Trimave”. Lagjja “Dardania” dhe “Kodra e Trimave” rezultojnë të jenë më të ndoturat. Shkaktarët kryesorë të kësaj ndotjeje të ajrit, sipas të dhënave zyrtare, supozohet të jenë djegia e lëndëve djegëse ose transporti rrugor, pasi këto lagje paraqesin një nga hyrjet më të frekuentuara në kryeqytet nga komunat e tjera.

Veturat e vjetra ndotëse po aq sa termocentralet

Në ndotje kontribuon edhe transporti rrugor. Sipas të dhënave të ndryshme, diku 40 për qind të shkarkimit të dyoksidit të karbonit (CO2) në zonat urbane. Kjo ndikon edhe në ngrohjen globale dhe me efekte negative në shëndet. Dyoksidi i azotit (NO2) është gaz toksik, që po kështu, kryesisht lirohet nga djegia e karburanteve. Ai ka efekte të theksuara në mushkëri, por edhe në organet e tjera si në mëlçi dhe shpretkë.

Grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 janë përqendrime të masës së suspenduar në ajër dhe kanë përqendrimin më të madh posaçërisht në lokalitetet me trafik të dendur. Një numër i madh i studimeve tregojnë ndikime afatshkurta në sistemin kardiovaskular. Efekte afatgjata lidhen me sulmin në sistemin respirator dhe në zvogëlimin e imunitetit.

Prishtina është një ndër vendbanimet me qarkullimin më të madh të automjeteve. Afro 135 mijë vetura hynë çdo ditë. Frekuentimi më i madh i tyre është në intervalin kohor 7:00 deri 19:00.

Automjetet me shkallë të lartë të amortizimit janë një ndër shkaktarët që Prishtina nga vjeshta e vonë, e deri në pranverën e hershme, të rangohet si kryeqyteti më i ndotur në nivel bote, duke bërë “garë” me Pekinin. Vitin e kaluar, sipas “Air Quality Index”, Prishtina shpeshherë ka qëndruar në vendin e parë për ndotje, ku vlera e ajrit arrinte 262 apo “shumë i pashëndetshëm”. Menjëherë pas Prishtinës, në nivelin e madh të ndotjes janë dy qytete të Kinës. Ndërsa, sipas të dhënave të kësaj jave, ajri në kryeqytet është në vlerë deri në 104 që është i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme.

Matësit që janë vendosur nëpër disa lagje të Prishtinës, edhe pse nuk kanë qenë funksional deri vonë dhe të dhënat e tyre nuk kanë qenë të sakta sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, por ato tregojnë se lagjja më e atakuar është ajo ku automjetet e kanë frekuentimin më të madh – “Dardania”. Kjo lagje është përzgjedhur për ta vendosur një matës të cilësisë së ajrit, meqë ajo kufizohet me bulevardin “Bill Clinton”, që përbën portën për automjetet që hyjnë në kryeqytet nga rreth gjysma e Kosovës: rajoni i Mitrovicës, i Prizrenit, i Pejës dhe rajoni i Gjakovës. Edhe qytetet gjithandej Kosovës kanë qarkullim të lartë automjetesh.

As në kryeqytet nuk dinë për kontributin e përafërt që automjetet kanë në ndotjen e ajrit. Por për të vlerësuar shkallën e ndotjes dhe shkaktarët e saj është duke u zhvilluar një projekt me organizatën japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, JICA, e cila është duke bërë studime të hollësishme për të gjithë shkaktarët që ndikojnë në ndotjen e ajrit në Prishtinë, e sidomos gjatë sezonit të dimrit. Vetëm pas finalizimit, sipas autoriteteve në kryeqytet, do të dihet se sa për qind e ndotjes vjen nga mjetet e transportit rrugor.

Tafë Veselaj, i cili është udhëheqës i Sektorit të monitorimit të mjedisit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, ka thënë ditë më parë për gazetën se mesatarja e viteve të vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është mbi 15-18 vjet. Kjo është më e madhe se dyfishi i mesatares së vjetërsisë së automjeteve që janë në qarkullim në vendet e BE-së.

“Veturat me mbi 250 mijë kilometra të kaluara lirojnë katër herë më shumë gazra se ato të rejat. Kjo e bën transportin një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit në Kosovë, krahas ndotjes nga industria”, ka thënë Veselaj.

Sipas një analize të politikave qeveritare për importin, regjistrimin dhe kontrollimin e veturave të Institutit GAP, të realizuar në vitin 2015, del se veturat shkaktojnë ndotje po aq sa termocentralet e Kosovës, të cilat emitojnë dyoksid karboni rreth 6.4 milionë tonë në vit.

“Sipas një llogaritjeje të thjeshtë, ky numër është i të njëjtit rend të madhësisë me atë që emetojnë veturat”, thuhet në studimin e GAP-it.

Shkaqet më kryesore që e prodhojnë këtë shkallë ndotjeje nga automjetet lidhen me vjetërsinë e tyre, kontrollimin teknik joadekuat në qendrat e kontrollit teknik, si dhe me cilësinë e lëndëve djegëse.

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, në vitin 2016, ka nxjerrë një udhëzim administrativ mbi normat e lejuara të shkarkimeve të ajrit nga burimet e lëvizshme të ndotjes.

Ky udhëzim promovon standardet e vendosura në legjislacionin referent të institucioneve të BE-së përkitazi me emetimin e gazrave nga automjetet e lehta për udhëtarët dhe automjetet e lehta për udhëtarë, dhe automjetet komerciale. Mes tyre janë edhe “Euro” standardet, që BE-ja ka nisur t’i aplikojë prej gati tri dekadash, kur e ka futur në fuqi standardin “Euro 0”, për të vazhduar deri në standardin e fundit të vitit 2014, atë “Euro 6”. Sa më i lartë “Euro” standardi, aq më e vogël është sasia e shkarkimit të gazrave. Ky udhëzim përcakton detyrimet e përdoruesve të automjeteve, kontrollin e nivelit të shkarkimeve në ajër gjatë kontrollimit teknik të automjetit, kërkesat për automjetet e importuara, normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga automjetet në qarkullim, vlerësimin e gjendjes teknike të automjetit, nivelin e vlerave të ndotësve që shkarkohen nga automjetet, automjetet në përdorim, e edhe mënyrat e kontrollit të shkarkimeve në ajër nga automjetet. Megjithatë, këto kërkesa të listuara në këtë dokument nuk janë jetësuar deri më tani.

Ndërkohë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme që të vendosë akcizë për naftë (dizel), pasi sipas drejtorit të këtij Instituti, Burim Ejupi, shumica e makinave në Kosovë djegin naftë e dihet që nafta është ndotës më i madh se benzina. “Janë disa masa të menjëhershme që sado pak ta zbusin situatën. Bashkë me juve me partnerët tanë, donatorët të cilët janë duke na ndihmuar besoj që ‘Agjenda 2030’ edhe pse është vështirë, do të arrihet. Për dallim nga qeverisja e kaluar, besoj që Qeveria e re e ka në plan ‘Agjendën 2030’, ku nëse implementohet dhe e kemi një qëllim që të arrijmë këto objektiva të agjendës, besoj që edhe cilësia e ajrit në Kosovë do të përmirësohet”, ka thënë Ejupi.

Veprimet në “ajër”

Në vitin e kaluar, pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët kur panë të dhënat e publikuara nga Ambasada Amerikane për nivelin e ndotjes, Kuvendi mbajti një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën paraqiti një sërë obligimesh kryesisht për Qeverinë. Por disa nga to kanë mbetur vetëm në letër. E në Ministrinë e Mjedisit teksa pranojnë se gjendja e ajrit nuk është e mirë, thonë se janë duke punuar në zvogëlimin e ndotjes.

Ata përmendin projektin 4 milionësh me japonezët, i cili ka filluar në vitin 2017 dhe do të zgjasë deri në korrik të vitit 2020. Ky projekt përveç ngritjes së kapaciteteve njerëzore, sipas MMPH-së, përfshin edhe pajisjet për laboratorët e IHMK-së, funksionalizimin e aparaturave për analiza laboratorike, pajisjet për matjen e emisioneve, dhe rehabilitimin e 5 stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit për regjionin e Prishtinës.

Në kuadër të këtij projekti janë bërë matjet e emisioneve në TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B” dhe në industri të tjera të mëdha. “Është përgatitur inventari i emisioneve në ajër, për të cilin janë bërë hulumtimet në terren për amvisëri, shërbime publike e private, industri dhe trafik. Në kuadër të këtij projekti janë instaluar 4 monitorë për paraqitjen e gjendjes se cilësisë së ajrit në qytetin e Prishtinës, ku qytetarët do të kenë mundësi të përcjellin gjendjen e cilësisë së ajrit. Vitin e ardhshëm planifikohet vendosja e një monitori të tillë edhe në Komunën e Obiliqit”, ka bërë të ditur MMPH-ja.

Për përmirësim të gjendjes së ajrit, sipas këtij dikasteri qeveritar, është bërë edhe vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B” dhe mundësia e ngritjes së performancës së elektrofiltrave në TC “Kosova A”.

“Janë bërë hulumtimet dhe është bërë vlerësimi preliminar i rezultateve të matjeve për periudhën 1-mujore gjatë dimrit, ku është konstatuar që burimi më i madh i emisioneve në ajër është KEK-u, mirëpo rezultatet e modelimit preliminar të simulimit tregojnë se amvisëritë janë ndotësit më të mëdhenj për sa i përket kontributit në përqendrim të ndotësve të ajrit në nivel të tokës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Pas mbledhjes së të dhënave të nevojshme nga ekspertët e JICA-s bashkë me ekipin e Ministrisë, pritet të bëhet rishikimi i dokumenteve strategjike të Qeverisë, përmes të cilave do të përcaktohen masat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

Sigurimi i pajisjeve për matjen dhe kontrollin e ndotjes, sipas Krasniqit të Partisë Ekologjike, ndikojnë pozitivisht, por, sipas tij, duhet të ndërmerren masa adekuate për ndërprerje të burimit të ndotjes.

Masat që janë marrë deri më tani, sipas MMPH-së, kanë qenë krijimi i Task Forcës ndërministrore për Ajrin, ndalimi i përdorimit të thëngjillit në shkolla, vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike, Udhëzimi Administrativ për matjen e gazrave të veturave - nga muaji qershor, 2019, MI-ja ka filluar fazën testuese të implementimit, si dhe ratifikimi i marrëveshjes për fondet e IPA-s, për ndërrimin e filtrave tek TC “Kosova B”, 78 milionë euro.

Megjithatë, krijimi i këtyre task-forcave, sipas profesorit Zeqir Veselaj, nuk ka prodhuar ndonjë efekt pozitiv, përveç shpenzimeve të buxhetit dhe arsyetimit të dështimit në këtë drejtim. Sipas tij, nuk mjafton vetëm monitorim, por duhet veprime për ndalimin e ndotjes.

Një raport auditimi i performancës së mekanizmave institucionalë për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit i kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitet 2016/2017 kishte gjetur shumë parregullsi. Autoritetet kosovare, sipas raportit, madje edhe e fshihnin shkallën e ndotjes.

“Parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut që janë evidentë në vendin tonë, PM10 dhe PM2.5 (grimcat e pluhurit), nuk janë raportuar mesatarisht 4.2 muaj gjatë vitit 2017, që nuk është pak veçanërisht nëse janë muaj të dimrit (muaj kur këta parametra arrijnë vlera maksimale)”, thuhet në një raport të 2018-s. “Pavarësisht raportimit të mangët, në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante të parametrit PM10 që kanë arritur deri në 400 për qind tejkalim”.

Në këtë dokument është theksuar edhe se ndotësit industrialë kontraktojnë kompani për të bërë matjen e emisioneve që lirohen në ajër, për çka janë të obliguar të raportojnë në AMMK në baza mujore. Kompanitë e kryejnë monitorimin përgjatë një dite të muajit që e caktojnë vetë dhe kjo metodologji, sipas Auditorit, rezulton me “të dhëna indikative dhe joreale”.