Shkarkohet nga detyra Agim Kajmaku, kryebashkiaku socialist i Vorës

Shkarkohet nga detyra Agim Kajmaku, kryebashkiaku socialist i Vorës

01 November 2019 12:01

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të shkarkojë nga detyra kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, në mënyrë unanime me 5 vota pro, raporton “Gazeta Shqiptare”.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme, pasi anëtarët e KQZ shqyrtuan çështjen e Kajmakut, i cili akuzohet se ka fshehur dënimin në Greqi, në formularin e Dekriminalizimit.

Në fjalën e tij në mbledhje, avokati kërkoi nga KQZ konfirmimin e Agim Kajmakut në detyrën dhe lejimin e tij për ta ushtruar detyrën e kryebashkiakut të Vorës.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, Agim Kajmaku i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Pasi KQZ vendosi t’i hiqte mandatin dhe të shkarkonte kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun, ka reaguar menjëherë dhe kryeministri Edi Rama.

I pyetur nga gazetarët për këtë vendin, shefi i qeverisë dha këtë përgjigje: “Institucionet janë institucione”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme