Arbëri

Shumica e mësuesve s’u ri-licencuan shkaku i neglizhencës nga MASHT-i

Dy vjet më parë, Ministria e Arsimit kishte hartuar pakon e akteve nënligjore, e cila për qëllim ka rregullimin e fushës së licencimit të mësimdhënësve, avancimin si dhe zhvillimin e tyre profesional.

As pas gjithë kësaj kohe, ky dikaster nuk ka bërë shumë për këtë proces duke e neglizhuar atë si dhe duke shkaktuar vonesa, raporton KTV.

Kjo edhe për faktin se licencimi i mësimdhënësve bëhet një herë në pesë vjet.

Aktualisht, nga më shumë se 22 mijë mësimdhënës sa ka Kosova, shumica nga ta nuk e kanë kryer procesin e ri-licencimit.

Në vitin 2013, MASHT-i kishe licencuar të gjithë mësimdhënësit dhe që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Një situatë e tillë po shihet si shqetësuese për monitoruesit e arsimit.

Sipas Rinor Qehajës, nga instituti “Edguard”, në krejt këtë situatë ka ndikuar edhe procesi tejet i ngadalshëm i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, proces të cilin duhet ta përfundojnë me sukses për ta fituar licencën.

Në shkollën fillore “Elena Gjika” të kryeqytetit, vetëm një mësimdhënës është ri-licencuar pasi ka plotësuar kriteret e nevojshme.

Ndërsa të tjerët janë afër plotësimit të kritereve.

Bazuar në pakon e udhëzimeve administrative që rregullojnë këtë çështje, procesi i ri-licencimit u ndihmon jashtëzakonisht shumë profesionalisht mësimdhënësve.

Kohavisioni ka kërkuar statistikat për numërim total të mësimdhënësve të cilët janë ri-licencuar, por drejtori i Departamentit Parauniversitar në MASHT, Alush Istogu, ka thënë se ndodhet jashtë vendit dhe se nuk mund të japë të dhëna.