Arbëri

Shoqëria civile nis peticion për mbrojtjen e lumenjve nga hidrocentralet

Derisa në fshatin Biti e Poshtme po vazhdojnë punimet për ndërtimin e një mini-hidrocentrali, në Prishtinë të martën ka nisur një peticion kundër hidrocentraleve në gjithë vendin.

Meqë kundërshtimet dhe protestat e vazhdueshme të banorëve nuk po merren parasysh, shoqëria civile konsideron se një peticion i tillë në këtë periudhë është tejet i nevojshëm, raporton KTV.

Shoqëria civile pret që Qeveria e re ta trajtojë me seriozitet dhe t’i marrë parasysh kërkesat e tyre dhe të qytetarëve.

Qytetarët thonë se janë kundër futjes së lumenjve në gypa, derisa bëjnë thirrje për ruajtjen e ujit, pasi, sipas tyre Kosova, ka mungesë të resurseve ujore.

Përveç në Prishtinë e Shtërpcë, peticioni mund të nënshkruhet edhe në tetë komuna tjera, përfshirë Mitrovicën e Veriut.

Synohet që brenda dy javëve, sa do të zgjasë nisma, të mblidhen 10 mijë nënshkrime, të cilat më pas do të dorëzohen në Kuvend dhe në Qeveri.