Arbëri

Onkologët nga Kosova e Shqipëria bashkohen në luftën kundër kancerit të gjirit

Foto: Ilustrim

Në Kosovë edhe gjatë këtij viti është rritur numri i të prekurve nga kanceri i gjirit, ku vetëm deri në shtator janë regjistruar 270 raste të reja.

Kështu u tha në konferenca e parë mbarëkombëtare të organizuar nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi tha se përmes këtij bashkëpunimi me Shoqatën e Onkologëve të Shqipërisë po dëshmohet se këto dy vende nuk i ndan as bashkëpunimi në aspektin shëndetësor, raporton ksp.

Derisa theksoi se numri i të prekurave me kancer të gjirit është në rritje edhe në Kosovës, Bislimi u shpreh se deri në shtator të këtij viti janë regjistruar 270 raste të reja me këtë sëmundje malinje.

Sipas tij, në Klinikën e Onkologjisë e cila vepron në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kryen të gjitha procedurat mjekësore për trajtim të kësaj sëmundje.

“Nga viti në vit ne punojmë në Klinikën e Onkologjisë dhe thirremi në raste të reja, vitin e kaluar kanë qenë diku 350 raste të reja me kancerin e gjirit, këtë vit deri në shtator 270 dhe po presim që këto shifra të jenë prapë përafërsisht këtu rreth 340 apo 350 raste të reja me kancerin e gjirit. Ka një rritje ndoshta të vogël signifikante por sëmundjet malinje në nivel global edhe kanceri i gjirit edhe në Kosovë por edhe në nivel të botës janë në rritje dhe ne nuk jemi në përjashtim të kësaj situate” , tha Bislimi.

Kurse, kryetarja e Shoqatës së Onkologëve të Shqipërisë, Silvana Çeliku teksa e ka mirëpritur një ngjarje të tillë të përbashkët mes dy shteteve shqiptare, tha se një aktivitet i tillë ka qenë detyrim për mjekët.

“Ky aktivitet është detyrim sepse nuk jemi thjesht komshinj por jemi një komb, vëllezër dhe motra dhe detyra jonë kryesore është që çdo gjë ta bëjmë së bashku. Jam sot e nderuar dhe e emocionuar që shoh që këtë aktivitet e organizojnë ata mjek që ne si shërbim onkologjik kemi pasur një detyrim dhe kemi krijuar bazën...Shpresoj që këto bashkëpunime jo të mbeten sot të vazhdojnë në të ardhmen duke u bërë akoma më të mira dhe të arrijmë suksese sepse edhe ne jemi pjesë e Evropës që të kemi të njëjtë arritje sikurse vendet e përparuara”, u shpreh Çeliku.

Kryetari i Odës së Mjekësve të Kosovës, Pleurat Sejdiu duke uruar shoqatat për këtë konferencë, paralajmëroi se në kongresin e radhës temë kryesore do jetë onkologjia dhe mundësitë për avancimin e këtij reparti në Kosovës.

Ai tha se përgatitjet për këta ngjarje do fillojë në marsin e vitit 2020, derisa theksoi se nga ai kongres pret që të ngritet debati për profilizimin e degëve dhe specializimin e onkologjisë.

“Kjo që po mbahet sot do vazhdoj, do jetë ky kongres hapja e një kapitulli të madh të kongresit të ardhshëm i cili presim që çështjet e onkologjisë të trajtohen në aspekte multidisiplinare duke filluar prej diagnostifikimit , pastaj trajtimi në internistik, trajtimi onkologjisë dhe njëkohësisht besoj se puna deri tek ajo konferencë do hap një kapitull që duhet të diskutohet në ministrinë e Shëndetësisë rreth çështjes së onkologjisë së specializuar për profilizim të degëve dhe specializimi i veçantë“ , deklaroi Sejdiu.

Në konferenca e parë mbarëkombëtare e organizuar nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë ishin të pranishëm onkologë edhe nga Shqipëria e Turqia të cilët diskutuan rreth trajtimit të kancerit të gjirit.

Gjatë kësaj konferencë u ndan mirënjohje bashkëpunimi për kompaninë farmaceutike "Roche", Nafije Latifi, Odën e Mjekëve të Kosovës , dhe spitalin "Acibadem".

Image