Kosova, e shurdhër ndaj pozicionit serb për pazare me territorin Foto: Driton Paçarada / Koha

Kosova, e shurdhër ndaj pozicionit serb për pazare me territorin

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 23 October 2019 07:15

Të shurdhra janë treguar autoritetet në Prishtinë në raport me kushtin për njohjen e Kosovës, të prezantuar publikisht të martën nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas të parit të Serbisë, njohje nuk do të ketë në kufijtë aktualë.

Gjatë një interviste për të përditshmen austriake “Der Standard” , Vuçiq e ka cilësuar si pyetje të vështirë për serbët atë për mundësinë e njohjes së Kosovës si një anëtar i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare. Ka thënë se për këtë do që të shohë edhe çka thotë Prishtina zyrtare e edhe Brukseli. Dhe, pas kësaj, ka përmendur edhe çështjen e territorit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Sigurisht duam të dëgjojmë edhe Bashkimin Evropian. Deri tash BE-ja nuk ka vendosur asnjë parakusht për Serbinë. Por, kemi dëgjuar nga amerikanët se kjo gjë mund të ketë ndryshuar”, ka thënë Vuçiq. “Nëse para dialogut të mundshëm thuhet ‘ne nuk po flasim për territore, nuk po flasim për autonomi për veriun’, atëherë për çfarë duhet të flasim? Në këto kushte nuk ka negociata”.

Faza finale e dialogut me Serbinë pati marrë start dy vjet më parë, me disa takime të zhvilluara në Bruksel në nivel presidentësh. Por, procesi pësoi ngërç prej kur doli në publik ideja e shkëmbimit të territoreve, e cila në Kosovë është kundërshtuar gjerësisht, ani se proklamohej nga presidenti Hashim Thaçi. Edhe ndërkombëtarët nuk kanë folur me një zë rreth opsionit të prekjes së kufijve, por së fundmi qëndrimet kundër janë shtuar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme