Shënohet 10-vjetori i Javës për të Drejtat e viktimave të krimit në Kosovë Foto: KSP

Ambasadat e huaja kërkojnë konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve shtetërorë

21 October 2019 08:20
13:57

Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, sot është shënuar 10 vjetori i Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Derisa është kërkuar ndëshkimi i autorëve të krimit, është përmendur nga ambasadat e huaja në Kosovë edhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve, ku sipas tyre duhet t’u kthehet qytetarëve të vendit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi u zotua se kanë forcuar moralin për respektimin e ligjit. Mos zbulimi dhe mos ndëshkimi i krimeve, tha ai se rrezikon përsëritjen e krimit.

“Është e vështirë të flitet për drejtësi dhe rehabilitimin e viktimave pa ndëshkimin e krimit, prandaj të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në ndëshkimin e keqbërësve si dhe mbrojtjen e viktimave të krimit. Këto dy anë kanë të njëjtat vlera sepse në një shoqëri demokratike interesat e shtetit dhe të viktimave janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Mos zbulimi dhe mos ndëshkimi i autorëve të krimit sjell pasoja si për shtetin ashtu edhe për viktimat e krimit, dhe mund të ndodhë që krimi i cili nuk ndëshkohet edhe të përsëritet”, tha Lumezi.

Lumezi tha se prokurorët e shtetit duhet t’i sigurojnë qytetarët që ligji është forca që e bën të mundur lirinë.

Kryeprokurori i shtetit tha se duhet të punohet në ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që këto viktima të mos pësojnë me fatalitet, ashtu siç ka ndodhur.

E kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se Kosova nuk ka mungesë të legjislacionit, por si vend lëngon në zbatimin e saj.

“Sot në shënimin e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, si gjyqtar dhe si prokuror, kemi ligjin para vetës dhe jemi të obliguar që të garantojmë drejtësi për secilin qytetar...Qytetarët tanë presin që sistemi gjyqësor por edhe ai prokurorial të veprojnë me vendosmëri dhe në të njëjtën kohë të zbatojnë ligjin me përpikëri duke u kujdesur edhe në respektimin e fakteve dhe të secilave provave të secilit rast. Nuk guxojmë te ndikohemi nga askush. Është e qartë se nuk guxojmë dhe e kemi të pafalshme që të jemi tolerant ndaj dhunuesve të të drejtave të njeriut, nuk guxojmë të falim kryerësit e veprave penale. Por në të njëjtën kohë, nuk lejohet që të dënojmë pa respektuar secilën dispozitë të tij”, tha ai.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës.

Zëvendësambasadori i SHBA-së, Nicholas Giacobbe, në fjalën e tij ka thënë se shteti amerikan është këtu për ta ndihmuar Kosovën në këtë drejtim.

“Duhet kurajë dhe vendosmëri për të raportuar një krim pas përjetimit traumatik. Procedurat e ndërlikuara gjyqësore mund të jenë barrë për viktimën dhe kjo veç se e shton traumën. Duhet që të kuptojmë se duhet forcë për të raportuar një rast të krimit dhe duhet po ashtu të kuptojmë se kjo nuk mjafton. Sistemi gjyqësor po ashtu duhet të mundësojë që kur viktima raporton një rast ata e marrin edhe mbrojtjen që ju duhet”, tha ai.

Duke përmendur rastin kur në Gjakovë, Pjetër Nrecaj kishte vrarë gruan dhe vajzën e tij, ani pse bashkëshortja kishte raportuar rastin e dhunës disa herë, ai tha se Kosova duhet të zbatojë në mënyrë të vazhdueshme urdhrat për mbrojtje në rastet e dhunës në familje.

Ndërsa përfaqësuesja nga ambasada e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stoker, ka kërkuar që të luftohet korrupsioni dhe pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme t’u kthehet qytetarëve.

“Korrupsioni nuk është vetëm çështje etike, por prek në mënyrë sistematike në jetën e njerëzve. Kosova deri tash ka pasur sukses të kufizuar në sanksionimin e rasteve të korrupsionit. Pra, e kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë, zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi. Është imperativ që pasuria e vjedhur apo e fituar në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohet, dhe t’iu kthehet qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

Basri Kastrati, menaxher i zyrës për mbrojtjen e viktimave, u zotua se angazhimi i organeve të drejtësisë për mbrojtjen e këtyre viktimave do të vazhdoje gjatë 365 ditëve jo vetëm gjatë kësaj jave.

12:18

Lumezi: Viktimat e krimit do të trajtohen me respekt dhe dinjitet

Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, sot është shënuar 10 vjetori i javës për të drejtat e viktimave të krimit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi u zotua se kanë forcuar moralin për respektimin e ligjit. Mos zbulimi dhe mos ndëshkimi i krimeve, tha rrezikon përsëritjen e krimit.

“Dua t’i siguroj qytetarët e vendit që viktimat e krimit do të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Nga gjithë ju prokurorët e shteti pres që t'iu shërbeni me dinjitet viktimave sa herë që paraqiten”, tha ai, raporton ksp.

Lumezi tha se duhet të punohet në ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që këto viktima të mos pësojnë me fatalitet, ashtu siç ka ndodhur.

E kryetar i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se nga viti në vit është shënuar progres në këtë drejtim. Sipas tij, Kosova nuk ka mungesë të legjislacionit, por si vend lëngon në zbatimin e saj.

“Praktika gjyqësore ka dëshmuar se ajo nuk është unike sa i përket shqiptimit të dënimeve. Sot në shënimin e javës për të drejtat e viktimave të krimit kemi ligjin para vetës dhe jemi të obliguar që të garantojmë drejtësi për ta. Nuk guxojmë te ndikohemi nga askush. Është e qartë se e kemi të pa falshme që të falim kryesit e krimit. Si shtet duhet të ngrisim kapacitet që të parandalojmë këto raste, sepse nuk mjafton vetëm ndëshkimi. Duhet të pranojmë që lëngojmë në zbatimin e legjislacionit”, tha Peci.

11:32

Ambasadat e huaja kërkojnë mbrojtje për viktimat e krimit në Kosovë

Në Prishtinë është shënuar 10-vjetori i “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me ç’rast është organizuar konferencë ndërkombëtare me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës.

Zëvendës-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, në fjalën e tij ka thënë se shteti amerikan është këtu për ta ndihmuar vendin tonë në këtë drejtim.

“Kosova ka arritur progres në luftimin e krimit. SHBA-ja e ka mbështetur financiarisht dhe teknikisht Kosovën në këtë sektor. SBHA-ja shpreson se derisa Kosova të përparojë në këtë drejtim – të vazhdojë të mbrojë viktimat e krimit”, ka thënë ai, raporton televizioni i Kosovës.

“I kuptojmë sfidat me të cilat përballen viktimat e krimit. Jemi këtu për t’i ndihmuar ata që përballen me viktimat e krimit – jo vetëm ligjërisht, por për të siguruar se ndihma jonë ju ofrohet njëtrajtshëm atyre”, potencoi Giacobbe.

08:20

Shënohet 10-vjetori i Javës për të Drejtat e viktimave të krimit në Kosovë

Nën përkujdesjen e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe në mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe UN WOMEN-it, do të organizohet “Java për të Drejtat e viktimave të krimit”, e cila mbahet më 21 dhe 22 tetor.

Këtë vit shënohet 10-vjetori i “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me ç‘rast do të organizohet konferencë ndërkombëtare me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, shkruan ksp.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi për nder të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimi” është zotuar se angazhimi i tij si kryeprokuror i Shtetit dhe i të gjithë mekanizmave relevantë nuk do të mungojë që rastet e viktimave të krimit të trajtohen drejt gjatë gjithë procedurave, ndërsa kryerësit të marrin dënimet meritore.

“Si kryeprokuror i Shtetit vlerësoj që në ballë të kësaj Jave nëpër vite kemi vënë në prioritet të drejtat e viktimave, por edhe një paralajmërim serioz për shkelësit e të drejtave të viktimave të krimit, sepse këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe, si të tilla, duhet mbrojtur me çdo kusht nga institucionet shtetërore”, është shprehur Lumezi.

Komentet

Agroni05/11/2019 17:15

A keni lexuar apo dëgjuar ndonjëherë thënjë më sarkastike se kjo? "Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi u zotua se kanë forcuar moralin për respektimin e ligjit." Të mjerët ne kush ka mbetur të na flasë për moralin dhe ligjin!

Shto koment

Të ngjashme