“Shqiptarët duhet ta njohin më mirë Bekim Fehmiun”

17 October 2019 20:09
20:57

Visare Aliu nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur ka thënë se shqiptarët duhet të informohen më shumë për aktivitetet e aktorit Bekim Fehmiu.

Në kuadër të aktiviteteve “E diela me Bekim Fehmiun”, tetë filma ku ai është pjesëmarrës do të shfaqen për tetë të diela në KTV duke nisur nga 20 tetori. Kushtrim Koliqi nga “Integra” ka thënë se me “E diela me Bekim Fehmiun” synimi është që një audiencë më e gjerë të njihet me figurën e aktorit, pasi sipas tij, figura e vërtetë e Fehmiut më shumë njihet dhe vlerësohet në nivelin e artistëve në Serbi. Ai ka thënë se të gjithë ia njohin meritat Fehmiut në Kosovë, por askush nuk bashkëpunon për ta bërë më të njohur figurën e tij.

“Këto lloj aktivitetesh, si festivalet, si publikimet, raportet janë më se të nevojshme për të dy palët, duke filluar nga informimi jonë duke u nis nga aktivitetet ‘E diela me Bekim Fehmiun’. Për shkak të mosdijes nuk e përqafojmë veprimtarinë e Bekimit, apo s’kemi qejf të asociohemi me emrin e tij për shkak të mosdijes, mosinformimit. Sepse ka njerëz që s’e dinë veprimtarinë artistike të tij”, ka thënë Aliu duke shtuar se “duhet marrë patjetër fillimisht informata para gjykimit për një gjë nëse është e mirë apo e keqe”.

“Vetëm nëse përkrahim këso iniciativa do ta kemi më të lehtë depërtimin te dy shoqëritë”, ka thënë ajo në kuadër të misionit të festivalit “Mirëdita Dobar dan”.

20:25

Sipas Gashit, mënyra se si Kosova e Serbia e shkruajnë historinë është pengesë për normalizim të raporteve

Politologu Shkëlzen Gashi ka thënë se për të ndryshuar raportet mes Kosovës e Serbisë, gjithçka varet nga politika. Sipas tij, pa pas marrëveshje politike normalizimi i raporteve nuk mund të shkojë edhe në nivelet tjera.

Pjesëmarrësi në festivalin “Mirëdita Dobar dan” ka thënë se mënyra se si Kosova dhe Serbia e kanë shkruar historinë dhe si mësohet ajo në shkolla, është pengesë për normalizim të raporteve.

Ai ka thënë se “Serbia duhet t’iu kërkojë falje shqiptarëve për krimet që janë kryer nga institucionet shtetërore serbe”.

Gashi në Rubikon të KTV-së ka thënë se edhe shqiptarët duhet të shprehin keqardhje për “krimet që kanë kryer shqiptarët, siç ata s’po i pranojnë se ushtarët e institucionet e tyre ishin të përfshira në krimet ndaj nesh, as ne s’po pranojmë që grupe, individë, kanë kryer krime ndaj serbëve, por s’ishin të organizuara nga institucionet, por ishin kryesisht veprime hakmarrëse ndaj asaj që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve”.

“Ne i kemi mësuar në tekstet tona mësimore të historisë, s’e kemi mësuar veç përmes librave, por edhe përmes folklorit. E mësojmë në mënyrë të njëanshme, e të ekzagjeruar. Duhet të shprehim keqardhje për ato që ka ndodh”, ka thënë ai duke thënë se ky është gabim që e bëjnë të dy palët. “Edhe ata e bëjnë të njëjtën gjë. Edhe historiografia serbe hiperbolizon, falsifikon e bën glorifikime të personaliteteve kombëtare”.

20:13

Qena: Politika po ngufat jetën në Beograd

Aktorja Melihate Qena, në debatin për raportet Kosovë-Serbi jashtë politikës, ka thënë se në Beograd janë “ngufatur” edhe vetë serbët.

Ajo ka thënë se ka miq në Serbi të cilët janë detyruar të largohen nga Beogradi për shkak të atyre që kanë marrë pozitat kyçe atje.

“Në Beograd duhet të shkohet, sepse s’është vetëm i serbëve. Kur kam studiuar, Beogradi ishte metropol dhe e kanë frekuentuar njerëzit e të gjitha racave e të gjithë popujt. Ishte kënaqësi të studioja në atë qytet. Më vonë lufta e rrymat e ndryshme e ngufatën, por s’janë të ngufatur vetëm njerëzit që shkojnë aty, por edhe serbët prej vetë serbëve. Kam miq të cilët ose kanë dalë e kanë lëshuar fare Beogradin, ose janë mbyllur nëpër shtëpi sepse s’kanë mundur të gjejnë gjuhë të përbashkët me njerëz që s’kanë civilizim, kulturë e që marrin pozitat vetëm me kalkulime të ndryshme”, ka deklaruar ajo.

20:09

Koliqi: Festivali “Mirëdita Dobardan” synon të përçojë në Serbi narrativën që s’janë mësuar ta shohin për shqiptarët

Kushtrim Koliqi nga “Integra” ka thënë se festivali “Mirëdita Dobar dan” ka për synim të përçojë në Serbi narrativën që serbët s’janë mësuar të shohin për shqiptarët.

Ai ka thënë se përmes festivalit kulturor “serbët mund të mësojnë për rastin e Ferdonijes, të pagjeturve, në të cilat ka edhe serbë, por edhe serbët duhet të dëgjojnë për ta”.

Në Rubikon të KTV-së, në emër të festivalit “Mirëdita Dobar dan” se sa njihen shqiptarët e serbët jashtë politikës, Koliqi ka treguar një rast që sipas tij tregon kontrollin e madh që ka politika atje.

“Neve na përcjell policia non-stop atje, s’është ndjenjë e mirë, por për shkak të sigurisë na përcjellin. Ne që dalim më shpesh, japim edhe intervista, kemi mbrojtje të afërt. Një nga ta me të cilët jemi shoqëruar më ka thënë ‘Kushtrim mos u frikëso, sepse protestuesit i paguan Vuçiqi për të dalë kundër teje, e mua Vuçiqi që të të ruaj’. Ishte pjesë e forcave të policisë. Është rasti më eklatant qysh politika kontrollon të gjitha elementet e shoqërisë, përfshirë protestuesit ekstremë”, ka thënë ai.

Koliqi ka thënë se festivali “Mirëdita Dobar dan” s’është sikur bashkëpunimet tjera mes shqiptarëve e serbëve.

“Sepse ne s’kemi barriera për të diskutuar për tema sensitive, për temat të cilat donatorët tipikë s’kanë të drejtë t’i prekin, të kaluarën, krimet. Ky festival stimulon një lloj të tillë të bashkëpunimit, të diskutimit për t’u marrë me temat që s’janë të këndshme për marrëdhëniet sipërfaqësore Kosovë-Serbi. Për këtë jam i lumtur që është përkrahur ideja. Bëra paralele sepse festivali ka edhe nervin protestues të aktorit Bekim Fehmiut. Ne jemi të lumtur për këtë. Ne në temat që trajtojmë, librat që promovojmë, shfaqjet, s’kemi barriera. Duke pas barriera, besoj që krejt kjo fushata e ‘pajtimit’ rezulton e dështuar”, ka deklaruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme