Arbëri

MMPH dhe Banka Botërore pajtohen për të vazhduar bashkëpunimin

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala me bashkëpunëtorë priti delegacionin e Bankës Botërore për Kosovë të kryesuar nga drejtori Marko Mantovanelli.

Ministri e falënderoi Drejtorin e BB-së për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe shprehu gatishmërinë për projektet e përbashkëta në të ardhmen.

“Në këtë fazë Bankës Botërore do t’i kërkohet vazhdimi edhe për 12 muaj i mbështetjes për Agjencionin Kadastral të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MMPH-së.

Ministri Shala dhe drejtori i Bankës Botërore Mantovanelli për pjesën e mbetur të projektit të kadastrit, po ashtu u dakorduan që në të ardhmen e afërt të vazhdojnë me projektet e reja të cilat kanë të bëjnë veçanërisht me verifikimit të dokumenteve kadastrale të cilat do të kthehen nga Serbia.

Mantovanelli, sipas MMPH-së, shprehu kënaqësinë e përkushtimit të ministrisë, e cila me ndihmën e Bankës Botërore ka përfunduar deri më tani rreth 30% të kadastrit të tokave.

Të dyja palët u pajtuan për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.