Shtohen thirrjet për hetim e shpallje të jashtëligjshme të Listës Serbe

Arbnora Luta Arbnora Luta 14 October 2019 19:15

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit u vlerësuan pozitivisht nga vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.

Por, përjashtim pati në zonat e banuara me shumicë serbe, ku vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë se frikësimi dhe kërcënimet që serbët të votonin për vetëm një parti, respektivisht Listën Serbe, e cenuan procesin, raporton KTV.

Juristi Vigan Qorrolli thotë se, bazuar në këtë raport, Lista Serbe duhet të shpallet subjekt politik joligjor pasi, përveç shantazheve e kërcënimeve, ajo nuk e pranon rendin juridik të Kosovës.

Qorrolli deklaron se arsye tjetër është sigurimi joligjor i votave nga Serbia, teksa thekson se Prokuroria duhet të nisë hetim penal për këtë.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se Prokuroria e Shtetit ka bazë të hetojë dhe pastaj të ngrehë aktakuzë, por jo edhe të kërkojë që subjekti të shpallet anti-kushtetues.

E, të dielën, procesi i verifikimit të votave nga Serbia është ndërprerë, për shkak të reaksionit alergjik që zarfat me vota nga Serbia e shkaktuan. KTV-ja, gjatë të hënës, e ka pyetur Prokurorinë e Shtetit lidhur me këtë, por nuk ka marrë përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme