Apostolova: Luftimi i korrupsionit dhe krimit - kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave

Apostolova: Luftimi i korrupsionit dhe krimit - kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave

14 October 2019 16:30

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka përsëritur se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave, derisa shpreson që lëvizja e lirë për kosovarët të realizohet gjatë presidencës finlandeze.

Ajo gjithashtu ka këshilluar që sistemi arsimor në Kosovë të fuqizohet në bazë të transparencës dhe stabilitetit dhe emërimet në qendrat e arsimit të bëhen përmes procesit të selektimit.

“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vlera esenciale të Bashkimit Evropian. E di shumë mirë se çfarë është të sugjerohesh për viza dhe t’i humbësh disa mundësi për të shkuar diku për shkak të vizave”, ka thënë Apostolova, përcjell Kosovapress, duke këshilluar që sistemi i arsimit duhet të vendoset në bazën e transparencës dhe stabilitetit.

“Çfarë dua të shoh në këto emërime në menaxhment dhe lidership në qendrat e arsimit të bëhet përmes një procesi të duhur të selektimit. Ne nuk duam të shohim nepotizëm në sektorin e arsimit sepse ndikimi politik në këta sektorë është krim dhe ne nuk mund ta lejojmë që këtë krenari të të rinjve të Kosovës të e prishim vetëm sepse një ditë ju do të konkurroni në tregun e punës me të gjithë tregun Evropian”, ka thënë ajo, në hapjen e vitit të ri akademik të Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova teksa ka folur për Kolegjin IBCM tha se ky institucion synon të sjellë vlera të BE-së në Kosovë, një edukim cilësor që i përgatit të rinjtë për tregun e punës, në pajtim me regjionin e Ballkanit duke i tërhequr të rinjtë e komuniteteve të ndryshime dhe duke i shtyrë në bashkëpunim në forma të veçanta.

Sipas saj, ky kolegj nga Bashkimi Evropian është mbështetur me 2.4 milionë euro me qëllim që të ky institucion arsimor të luajë rol kyç drejt edukimit të të rinjve në të ardhmen.

Drejtori i Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM), Harri Tuomola tha se ky kolegj ka një model i cili lidh aspektin pedagogjik me atë praktik sa i takon fushës së biznesit dhe profesioneve agrokulturore. Tutje ai tha se ndihet mirë që mbi 80 për qind e studentëve të këtij kolegji kanë siguruar punësim.

Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme