Arbëri

Ambasadori Borchardt u kërkon falje protestuesve në Tiranë të cilëve dje ua ngriti gishtin e mesit

Banorët e zonës së Astirit në Tiranë, të cilët ka një kohë të gjatë që po protestojnë në mbrojtje të banesave të tyre, mbrëmë po protestonin para drejtorisë së policisë së Tiranës, në pritje të lirimit të disa të arrestuarve në protestën e tyre.

E ndërsa protesta po zhvillohej, pranë tyre kaloi Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, ku disa prej protestuesve kanë nisur të bërtasin “Rama ik”, ndërsa njëri i është drejtuar Borchardtit duke i thënë “Shame on you” (një parullë e cila u shkrua muaj më parë poshtë banesës ku jeton me qira ambasadori), raporton Koha.net.

Në këtë moment, Ambasadori, teksa po ecte me kurrizin prapa protestuesve, u ka ngritur gishtin e mesit, gjest i cili ka bërë që të ketë reagime të ashpra nga qytetarë e nga partitë opozitare në Shqipëri.

E një ditë më pas, Ambasadori Borchardt, përmes profilit zyrtar të misionit të OSBE-së në Tiranë, u ka kërkuar falje protestuesve për gjestin.

“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, ka shkruar ambasadori Borchardt në Twitter.