Arbëri

Kontestohen konkurset në Ministrinë e Punës dhe në atë të Mjedisit

Foto: Alban Bujari/Koha Ditore

Dy konkurse për pozita të larta udhëheqëse në dy institucione publike janë duke u kontestuar nga kandidatët që kanë aplikuar për avancim. Njëri konkurs është zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa tjetri në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas kandidatëve ankues, konkurset janë zhvilluar në mënyrë të kundërligjshme. MMPH-ja nuk ka kthyer përgjigje për këto pretendime, ndërsa në MPMS kanë thënë se konkursi është zhvilluar në bazë të ligjeve në fuqi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë ka përzgjedhur Gani Berishën udhëheqës të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në këtë ministri. Ligji i ri, i cili ka hyrë në fuqi më 12 shtator, parasheh që procedurat e konkursit, që janë në vazhdim e sipër, në momentin e hyrjes në fuqi të vazhdohen sipas ligjit të ri - një gjë të tillë nuk e ka bërë MMPH-ja.

Edhe pse kanë aplikuar 6 persona për këtë pozitë, asnjëri nga ta nuk ka marrë pjesë në procedurat e vlerësimit, me përjashtim të Berishës, i cili deri në përfundim të procedurës ka vazhduar i vetëm. Përveç kësaj, një kandidat ishte përjashtuar nga lista e ngushtë me pretendimin se nuk i plotëson kriteret e konkursit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)