Arbëri

Studentët në Qendrën studentore bëjnë biznes me konvikte e Mensë

Descriptive Text

Biznes me kartela të konvikteve e të Mensës janë duke bërë disa studentë të pranuar këtë vit në Qendrën e Studentëve (QS). Një pjesë e tyre po i shesin këto kartela në rrjete sociale. Gazeta ka identifikuar dhjetëra raste të tilla në një grup të krijuar në Facebook.

Grupi “Testi i maturës 2019”, gjatë verës është përdorur si adresë për shpërndarjen masive të testit të maturës, ndërkaq nga fundi i shtatorit po përdoret për shitjen e kartelave të konvikteve e të Mensës.

“Shes kartelën e Mensës, të interesuarit më shënoni”, ka shkruar në këtë grup studentja A.V, duke sugjeruar të interesuarit që t’i shkruajnë për më shumë detaje.

“Shes konviktin pa mensë, konvikti numër 1”, ka shkruar M.B., i cili po ashtu ka sugjeruar që për më shumë detaje të kontaktohet në bisedë private.

Kurse A.R në grupin “Testi i maturës 2019” ka shkruar: “Përshëndetje, shes dy kartela të Mensës për shkak të mospërdorimit”. Këto janë vetëm disa nga njoftimet e studentëve që kanë shkruar në këtë grup në Facebook.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Gazeta ka kontaktuar me disa prej tyre, të cilët e kanë konfirmuar se kartelën e Mensës e shesin rreth 70 euro derisa atë të konviktit nga 80 deri në 100 euro.

A.B e ka konfirmuar se edhe pse është pranuar në Mensë, nuk dëshiron që të ushqehet aty. Ka thënë se edhe kur ka aplikuar e ka bërë këtë me qëllim që ta shesë vendin e vet e të përfitojë ndonjë para.

“Unë jetoj me cimerë në banesë private, nuk jam i interesuar të ushqehem në mensë dhe dua ta shes kartelën 70 euro. Meqë jam pranuar, përse mos me shit kartelën e me marr ndonjë pare”, ka thënë ky person.

Në Qendrën e Studentëve kanë bërë të ditur se janë në dijeni për këto manipulime dhe kanë konfirmuar se janë marrë edhe masa ndaj disa studentëve. Këtë vit, në konvikte janë pranuar 4.000 studentë derisa 2.500 kanë mbetur pa u regjistruar. Sipas drejtorit të kësaj qendre, Fatmir Sfishta, edhe atyre që nuk janë pranuar në konvikte u është mundësuar ushqimi në Mensë.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka thënë përmes një përgjigjeje me shkrim se kanë hasur në disa raste ku studentët përmes rrjeteve sociale kanë deklaruar shitjen e vendeve në konvikte dhe kartelave të Mensës.

“Ndaj këtyre rasteve janë marrë masa ndëshkuese konform rregullores së Qendrës së Studentëve: U është marrë e drejta e vendeve që kanë fituar në konvikte dhe Mensë, emrat e tyre janë vendosur në listën e zezë të QS-së, si dhe këta persona nuk gëzojnë më të drejtën e aplikimit për banim në konvikte dhe Mensë. Edhe gjatë viteve të kaluara kemi pasur raste të tilla, mirëpo fatmirësisht këtë vit kjo dukuri ka pësuar rënie”, ka theksuar Sfishta.

Ai ka bërë të ditur se Qendra e Studentëve është duke e luftuar këtë dukuri që, sipas tij, i dëmton studentët të cilët e meritojnë dhe kanë nevojë për strehim në konvikte.

“Ne edhe më parë iu kemi bërë thirrje studentëve të cilët kanë siguruar vende në konvikte dhe Mensën e studentëve, që të heqin dorë nga keqpërdorimet-manipulimet për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe kartelave, sepse do të merren masa ndaj këtyre rasteve”, ka theksuar Sfishta.

Gazeta ka kërkuar një qëndrim edhe nga drejtori i Mensës së studentëve, Fahri Osmani, mirëpo ai ka thënë se e ka pezulluar detyrën për shkak të garës si deputet, duke sugjeruar që të kontaktohet zëvendësja e tij Shyhrete Abdullahu.

Abdullahu ka bërë të ditur se kanë marrë masa ndëshkuese ndaj studentëve që janë identifikuar duke keqpërdorur kartelat e Mensës.

“Sipas rregullores në fuqi, kemi marrë masa ndëshkuese ndaj studentëve që janë identifikuar se kanë bërë këso veprimesh. Ata nuk do të mund të pranohen më”, ka thënë ajo.

Në lidhje me keqpërdorimet me konvikte e Mensë ka reaguar ditë më parë edhe Parlamenti studentor i Universitetit të Prishtinës.

“Njoftohen të gjithë studentët të cilët kanë siguruar vend në konvikte dhe Mensën e studentëve që të heqin dorë nga keqpërdorimet-manipulimet për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe të kartelave të Mensës. Menaxhmenti i Qendrës së Studentëve ka hasur në disa raste të studentëve, të cilët përmes rrjeteve sociale kanë deklaruar shitjen e vendeve dhe kartelave të Mensës”, thuhet në njoftim.

Gazeta ka kërkuar një qëndrim nga Policia e Kosovës nëse është raportuar ndonjë rast i tillë, por nuk ka marrë përgjigje.

Që nga viti 2014 studentët që pranohen në Qendrën e Studentëve e paguajnë 20 euro muajin për konvikt dhe 15 euro për t’u ushqyer në Mensë. Qendra e studentëve në Prishtinë ka gjithsej 8 konvikte.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.