Arbëri

Shqiptari që e mbijetoi sulmin terrorist në Kabul

Foto: Driton Paçarada / KD

Ilaz Duli dhe miku i tij nga Bangladeshi kishin marrë pak ajër të pastër te hyrja e hotelit në natën e acartë të 20 janarit 2018, në hotelin më të madh të Kabulit, kryeqytet i Afganistanit. Bashkë do të ktheheshin në holl, ku po shpiheshin pasdarke shtetas të dhjetëra shteteve që ishin pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kabul.

Pas përshëndetjes me mikun nga shteti aziatik që do të futej në ashensor, Duli do të bënte edhe disa hapa me telefonin në dorë në drejtim të recepsionit. “Aty interneti ishte shumë më i fortë se në pjesët e tjera të hotelit”, nis rrëfimin Ilaz Duli në kafenenë e bijve të tij, “Stories”, në Prishtinë.

“Kam biseduar me familjen katër-pesë minuta dhe ka qenë ora tetë e tridhjetë apo tridhjetepesë kur e kam ndërprerë”, thekson Duli, duke kujtuar pastaj fjalët e fundit që ua kishte thënë anëtarëve të familjes. “Sot është e shtunë, të premten e javës së ardhshme vij në Kosovë, do të thotë pas gjashtë ditësh mbërrij dhe dikush del e më merr si zakonisht në aeroport”.

“.. sikurse NATO-ja kur ka bombarduar”

Por derisa Duli po fliste brenda me familjen në Prishtinë, gjashtë militantë talebanë kishin kaluar murin e lartë prej katër metrash të hotelit “Interkontinental” në Kabul dhe kishin mbërritur para dy gardianëve të armatosur të hyrjes. Kështu u ishin shmangur kontrolleve të pesë rampave.

“Por në momentin që e kam kryer bisedën dhe e kam vendosur telefonin në xhep, hapin e parë që e kam bërë për të shkuar te ashensori, i pari prej gjashtë talebanëve ka hedhur veten në erë për ta thyer kordonin dhe ka vrarë dy gardianët”.

Përnjëherë fuqia e shpërthimit do t’ia kujtonte Dulit bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në luftën e Kosovës. “Eksplozivi ka qenë aq i fortë, sikurse NATO-ja kur ka bombarduar. Nuk e kam pasur larg as dhjetë metra”, tregon ai.

Duli ka punuar prej pasluftës me misione ndërkombëtare në fushën e prokurimit publik. Autori i disa librave për këtë fushë, thotë se është doktori i parë i prokurimit në Kosovë. Më 2005, Kuvendi i Kosovës e emëroi në krye të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Pas mandatit të parë pesëvjeçar si udhëheqës i këtij institucioni, më 2010 u emërua anëtar bordi. Thotë se ka qenë pjesë e të gjitha zhvillimeve që lidhen me hartimin e legjislacionit dhe krijimit të mekanizmave të prokurimit publik. Ka përvoja të shumta edhe me agjenci dhe institucione ndërkombëtare. Pasi kishte punuar më 2016-17 si këshilltar i lartë për prokurim publik, si pjesë e një programi të Bankës Botërore në Sri-Lankë, do të bëhej edhe pjesë e një programi tjetër të Bankës Botërore për trajnimin e trajnerëve të prokurimit publik në Afganistanin e trazuar. Punonte në Institutin Kombëtar të Prokurimit të Afganistanit që ishte nën kontrollin e zyrës së presidentit afgan, Ashraf Ghani.

I kishte kryer me sukses pesë misione nga një muaj në intervale të ndryshme kohore. Pas orarit të punës kohën e kalonte kryesisht në hotelin “Interkontinental”, ku u ofroheshin të gjitha shërbimet për rekreacion mysafirëve. Kryesisht staf ndërkombëtar. I kishin mbetur vetëm edhe gjashtë ditë për ta kryer edhe misionin e gjashtë në janarin e vjetëm kur talebanët vranë 40 shtetas të huaj. Pas më shumë se pesëmbëdhjetë orësh luftimesh me forcat policore e ushtarake afgane dhe me trupat e NATO-s, u vranë edhe pesë talebanët që bënë kërdi në gjashtë katet e hotelit. Disa mysafirë mbijetuan pasi ia dolën të arratiseshin nga hoteli menjëherë pas futjes së talebanëve në holl. Ata po shtinin në të gjitha drejtimet.

Duli dhe shumë të tjerë ikën nëpër nëpërmjet korridorit anësor që shpinte te salla e fitnesit, shërbimi mjekësor i hotelit për të zbritur në bodrum. Prej andej dolën në oborrin e pasmë, duke vrapuar drejt murit të lartë prej katër metrash. Aty Duli mori një shtyllë metalike te një grumbull materiali ndërtimor, që do të improvizohej si shkallë për t’u ngjitur me radhë në majë të murit. Prej andej do të hidheshin një nga një nga katër metra lartësi.

Lëshimi me çarçaf

“Njëherë thashë mos jam lënduar, porse ende nuk po i ndiej dhimbjet se trupi i nxehtë nga vrapimi, por e pashë pastaj se kisha gërvishtur dorën e majtë”, tregon Duli. Ndodheshin te këmbët e një kodre gurishtë. “Kishte ngapak shkurre”.

Ende dëgjohej jehona e krismave. Terroristët po i vrisnin mysafirët që i zinin nëpër dhoma. Pastaj digjnin orenditë dhe hidhnin te shkallët ndihmëse çfarëdo që gjenin si barrikada kundër forcave policore e ushtarake që po spastronin nga poshtë-lart terrenin në ndjekje të talebanëve. Miku i Dulit, mjeku nga Bangladeshi, kishte thyer qëllimshëm dritën e banjës dhe kishte hequr perden e trashë prej plastike të kabinës së dushit. “Ishte mbështjellë me perde prapa derës dhe kishte qëndruar aty deri në fund. Terroristët kishin hyrë në banjë për të pirë ujë, por nuk e kanë parë pa dritë mjekun prapa derës”, rrëfen Duli historinë e mikut.

Ndërkohë Dulit jashtë oborrit të pasmë të hotelit i kishte ndihmuar një kamerier afgan. Bashkë do të qëndronin deri në orën një të mëngjesit. Burri afgan ia kishte sjellë një batanije të trashë me të cilën ishte mbështjellë për t’u ngrohur në natën kur temperatura ishte minus tri shkallë celsius, sikurse kujton edhe i mbijetuari tjetër Vasileios Vasileio, në një rrëfim të BBC-së, të botuar fiks një vit pas sulmit. Piloti grek banonte në dhomën 522. Duli në 517-sh. Të dytë në katin e gjashtë – me katin përdhes.

“Ata kishin kaluar katin e tretë dhe të katërt drejt të pestit, dhe unë mund t’i dëgjoja duke vrapuar nëpër pullaz sipër kokës sime, kur ia dolën t’i largonin helikopterët që ishin të forcave ndërkombëtare”, kujton Vasileio. “Dëgjova të shtëna armësh në korridor, në afërsi dhe papritmas u ndërpre energjia elektrike në hotel”.

Në rrëfimin e gjatë për televizionin britanik, shtetasi grek rrëfen se si kishte qëndruar mbi dhjetë orë nën njërin prej dy shtretërve të dhomës, duke u futur në pjesën ndërmjet dyshekut dhe pëlhurës së trashë. Terroristët hynin e dilnin në dhomë. Madje kishin qëlluar me armë kauçin tjetër. Ishin ulur në atë ku fshihej piloti, i trajnuar për të mbijetuar situata emergjente sigurie. Përderisa sulmuesit hynin e dilnin, Vasileio kishte provuar të kapej për kabllot e rrjetit televiziv që zgjateshin teposhtë afër tarracës. Një snajper i forcave ndërkombëtare për pak s’e vrau duke menduar se ishte njëri prej terroristëve.

Duli ende ndodhej nën qiell të hapur me kamerierin afgan. Shpërthimet nuk po ndaleshin. Terroristët po bënin kërdi nëpër hotel.

“Mendoj se ata hapën secilën derë në katin e pestë dhe vranë këdo që e gjetën. I dëgjoja të qarat, të shtënat – i vrisnin vetëm me një plumb – dhe pastaj kalonin te dera tjetër. Pas çdo vrasjeje qesheshin me të madhe, si të ishin duke luajtur, ose si të ishin në ndonjë alamet ndeje”, do t’i rrëfente Vasileios Dulit pas tri ditësh në aeroportin e Stambollit rrugës për në shtëpi. Me ta në bord ishte edhe një shtetas turk, ushtarak i pensionuar. Turku punonte në një kompani turke që po negocionte me afganët një kontratë për sigurinë e tri aeroporteve afgane.

“Turku, me përvojë të madhe ushtarake, kishte lidhur dy çarçafë për rrethojën e tarracës së dhomës dhe kishte zbritur në katin e pestë. Aty kishte parë disa mysafirë që ishin fshehur nën dërrasa. Kishte kontrolluar dhomën e katit të katërt, pasi ishte siguruar se nuk kishte rrezik, kishte marrë çarçafët dhe i kishte lidhur njëjtë dhe ishte lëshuar në katin më poshtë”, tregon Duli. Policia tashmë kishte spastruar katin e katërt. “Turku kishte valuar një peshqir të bardhë dhe i ishte dorëzuar policisë”.

Mikpritja afgane dhe papërgjegjësia kosovare

Ndërkohë Duli dhe shoqëruesi afgan do të dorëzoheshin pas mesnatës te një pikë vrojtimi e ushtrisë afgane, jo fort larg perimetrit të oborrit të hotelit. Aty do të qëndronin deri në mëngjes para se ushtarët t’i përcillnin në një vendbanim të afërt, ku ndodhej një patrullë policore. “Aty më kanë marrë disa banorë të një dyqani. Dyqani poshtë, vetë banonin në katin e dytë. Më kanë shërbyer me çaj, jam ngrohur dhe ma kanë dhënë celularin që të njoftoja shoferin tim – Majvan e kishte emrin”, thekson Duli fytyrëqeshur. Një polic ia kishte dhënë xhupin e tij.

Pastaj do të kontaktonte dhe Zyrën e Bankës Botërore në Kabul. Edhe familjen në Prishtinë.

Gjatë krejt kësaj kohe gjashtë shqiptarë që punonin në agjenci të ndryshme të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan ishin në ethe, në pritje të ndonjë lajmi për fatin e Dulit. Dhe me të marrë vesh lajmin se Duli ishte gjallë, shqiptarët e misioneve ndërkombëtare kishin dërguar shoferë dhe makinë të blinduar për ta marrë Dulin, të cilin do ta mbanin dy ditë në kampin e stafit të OKB-së. Nuk e kishin lejuar të qëndronte në një hotel tjetër, ku Banka Botërore ia kishte rezervuar dhomën. Duli u është përjetësisht mirënjohës shqiptarëve që punojnë në Afganistan për ndihmën dhe mikpritjen.

Është zhgënjyer me autoritetet e Kosovës që ishin njoftuar menjëherë pas sulmit se një shtetas kosovar ndodhej në “Interkontinental”, porse ishin interesuar për fatin e tij vetëm pas dy ditësh. Duli ishte në hall të madh pasi nuk mund të dilte nga Afganistani pa një dëshmi të lëshuar nga Kosova se është shtetas i saj për shkak se pasaportën e kishte në recepsionin e hotelit. “Nuk e dija nëse ishte djegur recepsioni dhe bashkë me të edhe pasaporta”, kujton Duli. Punëtorët shqiptarë të OKB-së do t’ia siguronin transportin që të kthehej në hotel, ku fatmirësisht nuk i ishte djegur pasaporta. Shenjat e djegies nuk iu hoqën xhupit në dhomën e djegur. “Kur këqyra në xhep brenda, terroristët nuk i kishin gjetur 3.400 dollarë që i kisha. Por kush e kishte gajlen e parave”, thekson Duli. Me Majvanin, shoferin afgan, do të dokumentonte shenjat e sulmit terrorist të gjashtë talebanëve.

Tri ditë pas sulmit, Duli me makinën e blinduar të siguruar nga gjashtë shqiptarët e OKB-së do të merrte udhë drejt aeroportit të Kabulit, ku në aeroplan do të njoftohej me pilotin grek dhe ushtarakun e pensionuar turk. Me grekun do t’i kalonte edhe gjashtë orë në aeroportin e Stambollit në pritje të aeroplanëve për Prishtinë e Athinë. Do të shkëmbenin edhe fotografitë e shkrepura. Duli lëviz gishtin tregues nga e djathtas-majtas derisa tregon fotografitë. Ndalet pak më gjatë tek ajo që më 20 janar do ta shihte në BBC poshtë titullit të rrëfimit në veten e parë Vasileiou: “Kauçi që ma shpëtoi jetën”.

“Veç këqyre, fotoja e BBC-së është e prerë. Nuk është edhe ky burri që po shihet prapa kauçit”, shton Duli, duke vërtetuar se rrëfimin e pilotit grek e kishte dëgjuar fiks tri ditë pas sulmit terrorist në Afganistan. “Më kanë thënë të Bankës Botërore me shku në Kabul edhe në misionin e shtatë, por u kam thënë: ‘Kurrë më nuk shkoj në Afganistan’”.