Arbëri

Pacolli vazhdon të heshtë për takimin në jaht luksoz me Radojiçiqin, këshilltari i tij e quan takim “normal”

Rrjeti i gazetarisë hulumtuese në Serbi, KRIK, ka publikuar një fotografi të zëvendëskryeministrit të parë në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli, bashkë me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin Milan Radoiçiq.

Ky i fundit, njeri i nëntokës, siç e quan KRIK-u, është i kërkuar në Kosovë si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe është në arrati që nga vrasja e tij, më 2018.

Sipas burimeve që e kanë siguruar këtë fotografi, ajo është bërë në verën e 2017-s, kur Pacolli la partnerët e tij të koalicionit dhe u bë bashkë me Ramush Haradinajn, për t’u bërë më vonë edhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, raporton KTV.

Takimi kishte ndodhur në jahtin luksoz në Budva të Malit të Zi dhe, sipas KRIK-ut, aty ishin marrë vendime të rëndësishme për përkrahjen e Listës Serbe dhënë Qeverisë së Haradinajt dhe bashkimin e tyre në koalicionin e vitit 2017.

Në kohën e fotografisë, Radoiçiqi nuk kishte pozitë zyrtare, por, sipas KRIK-ut, ishte pjesë e nëntokës e vendimmarrës në skenën politike serbe.

Ai përshkruhet si bashkëpunëtor i Zvonko Veselinoviqit dhe Ismet Osmanit - Currit, i arrestuar muaj më parë nga Policia e Kosovës.

E ky takim është quajtur si normal nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilën e përfaqëson tani Pacolli.

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit në detyrë që vjen nga AKR-ja, ka thënë për KTV-në se nuk ka asgjë të fshehur për këto takime të zhvilluara në kohën e bisedimeve për koalicion.

“Radoiçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, ka qenë nëpër takime me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe nuk ka asgjë te fshehtë në këtë drejtim”, ka thënë Zyberaj, ani pse takimi kishte ndodhur në vitin 2017, kur Radoiçiqi nuk ishte fare pjesë e Listës Serbe dhe nuk kishte asnjë pozitë zyrtare.

Ai ka shtuar se për këtë takim dhe të tjerët, mund të pyetet edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, sepse ai ka qenë i pranishëm në të gjitha takimet e zhvilluara.

E lidhur me këtë, nga Zyra e kryeministrit në detyrë thonë që asnjëherë nuk janë takuar fshehurazi me Milan Radoiçiqin.

“Të gjitha takimet që kryeministri Haradinaj, si kryeministër i vendit, i ka zhvilluar me Radoiçiqin, si përfaqësues politik i një partie politike, kanë qenë publike nga ana e institucionit tonë dhe po aq publike në çdo paraqitje që kryeministri ka pasur në media. Kryeministri Haradinaj asnjëherë nuk ka zhvilluar takime të fshehta nëpër jahte, me askënd, e aq më pak me personin në fjalë”, ka thënë Zyra e Kryeministrit.

Më tutje, ata kanë shtuar se që pas fletarrestit, Ramush Haradinaj nuk është takuar me Radoiçiqin.

Në artikullin e rrjetit të gazetarisë hulumtuese KRIK, Behgjet Pacolli përshkruhet si biznesmen që në vitin 1990 ishte përfshirë në një nga skandalet më të mëdha në Rusi, ato të dhënies së ryshfetit, që kishin të bënin me rindërtimin e Kremlinit.