Arbëri

Universiteti i Prishtinës inauguron Fakultetin e Arkitekturës

Në një ceremoni solemne është inauguruar Fakulteti i Arkitekturës në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Inaugurimin e njësisë më të re akademike të UP-së e bëri rektori, prof. dr. Marjan Dema, i cili u shpreh shumë i lumtur për krijimin e Fakultetit të Arkitekturës, si njësi të veçantë.

“Në këtë ditë të veçantë për arkitektët tanë, uroj në veçanti studentët e rinj të cilët sot kanë fatin të nisin studimet e tyre në një fakultet të ndarë, si dhe profesorët, të cilët dhanë kontribut të kamotshëm që kjo të bëhej realitet”, theksoi Dema.

Të pranishmëve në këtë ceremoni zyrtare iu drejtua edhe dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof. dr. Abdullah Zejnullahu, i cili uroi kolegët për ketë ditë të rëndësishme.

“Ky fakultet, me kapacitetet aktuale që ka, por duke aspiruar në ngritjen e tyre në vazhdimësi, është një nismë e mirë për ju studentë të rinj, që patet fatin më të mirë se studentët e 41 gjeneratave paraprake”, tha ndër të tjerash Zejnullahu.

Ne këtë takim foli edhe ushtruesi i detyrës së dekanit të Fakultetit të Arkitekturës, prof. dr. Fevzi Berisha i cili pranoi edhe zyrtarisht vendimin e Senatit të UP-së, të kryesuar nga rektori Dema, për emërimin e tij në këtë pozicion.

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës është ngritur në themelet e Shkollës së Lartë Teknike në Prishtinë, më 20 tetor 1961, me drejtimin e Ndërtimtarisë, Elektroteknikës dhe Makinerisë.

Me 12 maj 1977 është hapur edhe Seksioni i Arkitekturës në kuadër të këtij departamenti. Ndërkaq, me date 10 qershor 2019, Senati i UP-së mori vendim që të miratohet propozimi i Këshillit të FNA-së për ndryshim të strukturës së brendshme dhe statusit të FNA-së, duke formuar kështu Fakultetin e Arkitekturës ndaras nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në UP.

UP tani numëron 14 njësi akademike, me afro 40 mijë studentë.