Arbëri

Thaçi e informon Stoltenbergun mbi transformimin e FSK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin, sipas njoftimit nga presidenca, kanë biseduar edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Takimi u zhvillua në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në njoftim thuhet se “Thaçi ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë bashkëpunim të shkëlqyer me NATO-n, e cila është garantuesja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“KFOR-i vazhdon të kryejë një punë të mrekullueshme në Kosovë”, u shpreh ai.

Tutje thuhet se “Thaçi po ashtu ka theksuar se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri është duke shkuar sipas dinamikës të përcaktuar nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar”.

“FSK sot është një forcë profesionale, e standardeve të NATO-s, e trajnuar nga NATO, forcë multietnike e që angazhohet për përfaqësim të barabartë gjinor”, ka thënë ai.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg nga ana e tij, sipas njoftimit, ka thënë se NATO mbetet e përkushtuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të njoftimit bëhet e ditur se Thaçi ka deklaruar po ashtu se ka ardhur koha që të avancohen marrëdhëniet dhe Kosova të anëtarësohet në NATO.