Arbëri

Thaçi takohet me Kitaroviqin: Kroacia, shembull që Kosova duhet ta ndjekë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Sipas një njoftimi nga presidenca, Thaçi e Grabar-Kitaroviq kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimit të shkëmbimit ekonomik dhe tregtar.

“Kroacia është një shembull i mirë i suksesit për rrugën që duhet ndjek Kosova drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka thënë Thaçi pas takimit.

“Nga ana tjetër, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës janë shumë të mira, duke ofruar mbështetjen e shtetit të saj në të gjitha fushat për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Thaçi, gjatë ditës, do të takohet me liderë të ndryshëm botërorë “për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral”.